E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Topi i Artë”, Mesi, super-favoriti

 

Prestigjozja “France Football” ka shpallur listën me 10 emrat kandidatë për çmimin “Topi i Artë”. Nga këta plot pesë prej tyre janë ose kanë veshur fanellën e Barcelonës, Kampionia në fuqi e Ligës së Kampioneve. Për këtë çmim votojnë gazetarët nga gjithë Evropa. Vitin e kaluar e fitoi portugezi, Kristiano Ronaldo ndërsa sivjet favoriti kryesor është argjentinasi, Lionel Mesi. Sulmuesi i Barcelonës u rendit i treti në vitin 2007 pas Kakasë dhe Kristiano Ronaldos dhe i dyti vitin e kaluar pas Kristiano Ronaldos. Sipas të gjitha gjasave ai do të jetë triumfuesi për këtë vit duke parë suksesin që ka pasur sezonin e fundit me Barcelonën ku fitoi, Ligën Spanjolle, Kupën e Mbretit, Superkupën e Evropës, dhe Ligën e Kampioneve. Ja lista e dhjetë të nominuarve: Kristiano Ronaldo (Portugali, Mançester Und-Real Madrid), Didier Drogba (Bregu i Fildishtë, Çelsi), Samuel Eto (Kamerun, Barcelona-Inter), Stiven Zherard (Angli, Liverpul), Zlatan Ibrahimoviç (Suedi, Inter-Barcelona), Andres Iniesta (Spanjë, Barcelona), Kaka (Brazil, Milan-Real Madrid), Lionel Mesi (Argjentinë, Barcelona), Uejn Runi (Angli, Mançester Und), Xavi (Spanja, Barcelona). Fituesi do të shpallet të martën më 1 dhjetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›