E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albenc Ago kërkon Gjykatën e Apelit

Albenc Ago, i dënuar për vrasjen e Eva Vishës në vitin 1997, i është rikthyer rrugës gjyqësore, vetëm pas ekstradimit nga Italia. Ai ka paraqitur një kërkesë penale në Gjykatën e Tiranës me objekt "rivendosje në afat". Procesi lidhur me këtë padi është çelur dje nga gjyqtari Gerd Hoxha, por seanca është shtyrë, pasi vetë paditësi, pra Ago, ka kërkuar që të mbrohet me avokatin e tij, i cili nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas burimeve zyrtare nga gjykata, kërkesa e Agos ka në thelb krijimin e mundësisë për të apeluar vendimin për dënimin e tij dhënë disa vjet më parë. Në dhjetor të vitit 2005, kur Gjykata e Tiranës e dënoi 40-vjeçarin me 20 vjet heqje lirie, ai nuk ndodhej në Shqipëri dhe për këtë arsye pretendon se nuk ka pasur mundësinë ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit. Sipas ligjit, vendimet mund të ankimohen 10 ditë pas shpalljes së tyre, çka në këtë rast nuk është bërë. Duke u nisur nga ky fakt, Ago ka kërkuar nga gjykata që çështja e tij të rivihet brenda afatit, duke i krijuar atij mundësinë e shqyrtimit të dosjes në Gjykatën e Apelit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›