E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji dhe Minxolli nuk u shpëtojnë prangave

Vendimi i Gjykatës së Apelit lidhur me masën e sigurisë për dy nga të arrestuarit për ngjarjen tragjike të Gërdecit, nuk duket se ka qenë surprizë për të pandehurit, megjithëse avokati i tyre ka bërë gjithë përpjekjet e mundshme për të ndryshuar vendimin e shkallës së parë. Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli nuk e kanë marrë mundimin të vijnë fare në gjykatë, sikur të donin të shprehnin mosinteresimin e tyre ndaj vendimit që do të jepej. Dhe në fakt, vendimi nuk ka përbërë ndonjë surprizë. Të dy të akuzuarit do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të procesit hetimor dhe atij gjyqësor. Gjatë seancës, prokurori i çështjes ka ripërsëritur arsyet se përse të pandehurit duhet të qëndrojnë në burg, duke u mëshuar pasojave tragjike të 15 marsit, si dhe faktit që në atë fabrikë, me gjithë rrezikshmërinë e procesit të punës, ishin punësuar deri gra dhe fëmijë. Ndërsa avokati mbrojtës ka kërkuar një masë më të butë, pasi sipas tij, të dy të pandehurit ishin vënë vetë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa ditën e tragjedisë u kanë dhënë ndihmë punëtorëve të fabrikës dhe banorëve të zonës për rreth. Gjithsesi, argumentet e tij nuk duket se e kanë bindur Gjykatën e Apelit. Dje u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, që përcakton masën e sigurisë burg pa afat për të dy të pandehurit. Pas dhënies së vendimit, avokati mbrojtës Arben Prifti ka deklaruar për mediat: "Gjykata në vendimin e saj dhe në gjykimin që ka të bëjë konkretisht me masën e ndalimit dhe masën e sigurimit personal duhet të ketë parasysh pikërisht ato kritere ligjore dhe rrethana, të cilat janë të ngushta në kuptimin strikt të tyre dhe nuk duhet që të merren në kuptimin e zgjeruar duke aluduar edhe lidhur me kushte të tjera siç mund të jetë përzgjedhja e vendit të kësaj fabrike, që ka qenë në Gërdec, gjë që nuk ka qenë në kompetencën e klientëve të mbrojtur prej meje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›