E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbeten në burg të akuzuarit për trafik

Dy persona të arrestuar në kohë dhe vende të ndryshme, por të akuzuar për të njëjtën vepër penale, janë paraqitur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për shqyrtimin e masës së sigurisë. Që të dy kanë pasur të njëjtin fat, pasi gjykata i ka lënë në burg pa afat. Shtetasi grek, por me kombësi kazake, Aleksandro Zeitinidis, ishte i pari që ka dalë përpara togave të zeza. Ai është arrestuar në flagrancë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, teksa po përpiqej të trafikonte drejt Greqisë një sasi prej 6.4 kg heroine dhe 6.3 kg marijuanë. 47-vjeçari e kishte fshehur drogën në automjetin e tij tip "Toyota", me të cilin kishte udhëtuar nga Tirana në drejtim të Greqisë. Më pas radha i ka ardhur 26-vjeçarit Nandi Kacaj, lindur dhe banues në Sarandë. Ai është arrestuar, pasi akuzohet se është pronari i 2.2 kg marijuane e presuar që u gjet gjatë një kontrolli në autobusin tip "Volvo", me targa greke IBI 3366, të linjës Sarandë-Athinë. Për këta persona që akuzohen për veprën penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike", gjykata vendosi masën "burg pa afat".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›