Albert Duro: Rumania do të vuajë përballë Shqipërisë në eliminatore
Euro 2012
Albert Duro, vëllai i mesfushorit të Kombëtares Klodian Duro, beson se Rumania do të vuajë në ndeshjet eliminatore të Euro 2012 kundër Shqipërisë. Ish-mbrojtësi kuqezi, që ka milituar me Steauan e Bukureshtit nga viti 1998 deri më 2001, deklaroi se skuadra e drejtuar nga Razvan Luçesku nuk është më e frikshme si dikur. 32-vjeçari parashikoi se dy fitoret e lehta si në eliminatoret e Euro 2008 nuk do të përsëriten më, pavarësisht se prej disa kohësh futbolli shqiptar në përgjithësi nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm. “Si u prit shorti i eliminatoreve në Shqipëri? Federata shpresonte që Kombëtarja jonë të kishte në grup skuadra, që do t’i mbushnin arkat me parà nga e drejta televizive. Por, me kundërshtarët aktualë, është e vështirë që të përfitosh ndonjë shifër të rëndësishme. Përveç Francës, Rumania, Bosnja dhe Bjellorusia nuk sjellin asnjë përfitim nga kjo pikëpamje. Objektivi minimal është që përfaqësuesja të ngrihet të paktën në vazon e katërt. Përveç fitoreve me Luksemburgun mund të mendojmë t’i marrim pikë edhe Bjellorusisë. Gjithsesi, çdo gjë mund të ndodhë”, tha Albert Duro. “Rumania? Gjatë viteve të fundit, Kombëtarja e këtij vendi është në rënie të vazhdueshme. Mendoj se tashmë rumunët kanë një ekip që mund të mposhtet. Përfaqësuesja shqiptare është një skuadër e guximshme dhe mund të rezervojë surpriza. Të gjithë kundërshtarët tanë do ta kenë të vështirë të luajnë në Tiranë, madje edhe Franca që cilësohet si favoritja absolute. Edhe kuqezinjtë nuk janë më skuadra e pesë viteve më parë: boshti është ruajtur, por tashmë po afrohen lojtarë të rinj. Në fushën tonë, Rumania nuk do të na gjejë më të papërgatitur si ndodhi, ndërsa ndeshjet do të kenë edhe shijen e hakmarrjes: Shqipëria i ndihmoi rumunët të kualifikoheshin, duke frenuar dy herë Bullgarinë. Por, në takimin e fundit në Bukuresht, Rumania na shënoi gjashtë gola. Ajo humbje, që solli edhe largimin e trajnerit Bariç, shkaktoi shumë polemika dhe dyshime për shitje ndeshjesh”.
#