E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi drejt ëndrrës Europa League

Skuadra e Nicës mposht 3-2 Flamurtarin dhe i afrohet vendit të tretë
Laçi po përjeton një prej momenteve më të bukura që prej krijimit si klub futbolli. Skuadra e drejtuar nga Stavri Nica është futur fuqishëm në garën për një vend në kupat e Europës dhe tashmë të gjithë në qytetin veriperëndimor ëndërrojnë ta shohin ekipin e zemrës në Europa League. Në fakt, me fitoren e djeshme 3-2 përballë Flamurtarit, kurbinasit kanë konsoliduar pozitat në vendin e katërt në klasifikimin e Kategorisë Superiore dhe tashmë janë vetëm 1 pikë larg Tiranës së vendit të tretë (vendi për “biletën” e futbollit europian nëpërmjet kampionatit). Prej gjashtë ndeshjes Laçi nuk e njeh humbjen, gjatë kësaj periudhe bardhezinjtë kanë regjistruar 4 fitore dhe 2 barazime, e nga lufta për mbijetesë ata janë shndërruar në protagonistë absolut të këtij edicioni.
Dëshira për t’u përfaqësuar për të parën herë në futbollin e rëndësishëm nuk fshihet. Këtë e tregon parulla e vendosur nga tifozeria laçiane përpara sfidës me vlonjatët: “Para Laçi! Europa është pranë”. Dhe skuadra nuk ka zhgënjyer me paraqitjen e saj në fushën e lojës. Rruga drejt fitores u hap vetëm pas 120 sekondave, me golin e realizuar nga Ervis Kaja. Mbrojtësi ka përshëndetur rrjetën pas një topi të devijuar me kokë nga Brahja, që ka nxjerrë jashtë loje mbrojtësit e përgjumur të Flamurtarit. Shifrat janë dyfishuar kur kronometri tregonte vetëm 6 minuta lojë, nëpërmjet një gjuajtje të jashtëzakonshme nga distanca të mesfushorit Emiljano Veliaj. Mesfushori beratas, që së fundmi është përfshirë në planet e së ardhmes nga trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka lëshuar një predhë nga mbi 30 metra, duke gjetur të papërgatitur portierin kundërshtar, Shpëtim Moçka. Golat e shpejtë krijuan përshtypjen e një fitoreje të lehtë të vendasve, por Flamurtari nuk ka pranuar të “kapitullojë pa kushte”. Skuadra e Maganit kundërpërgjigjet në të 26-n me të përhershmin Migen Memelli: sulmuesi i afruar gjatë merkatos së dimrit ka shfrytëzuar më së miri një asist të talentit Roshi dhe i vetëm me Llanin nuk ka gabuar. Megjithatë, Laçi tregon sërish forcën dhe vetëm 2 minuta më pas është Tanushi që realizon golin e tretë: sulmuesi nuk e ka të vështirë të shtyjë drejt portës një top që më parë ishte grushtuar nga portieri vlonjat. Për të rindezur shpresat e miqve ka menduar Grami, një tjetër përforcim i dimrit, që pak sekonda përpara pushimit mes pjesëve shkurtoi shifrat në 3-2. Në fraksionin e dytë të lojës, Flamurtari ka tentuar të mos dalë i humbur nga fusha, por vendosja e kujdesshme taktike e vendasve ka bërë që rezultati të mos ndryshojë. Madje, ishin laçianët ata që kishin shansin më të mirë për të shënuar një tjetër gol, por festa e Marashit u prish nga shtylla.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›