Ekzekutohet në pritë pas konfliktit për pronën
• Një 60-vjeçar është viktima e radhës e konfliktit për motive pronësie. Pas disa viteve grindjeje, Hashim Reçi u qëllua për vdekje mesditën e djeshme nga bashkëfshatari i tij 38 vjeç, Qemal Zeba.DIBER/ ROLAND NIKOLLIViktima u ekzekutua me 3 plumba pushke, model 56, ndërsa kthehej në banesën e tij, në fshatin Ushtelincë të komunës Qendër të rrethit të Dibrës. Burime të policisë pohuan se Zeba kishte kohë që e kishte ndjekur 60-vjeçarin, për ta zënë vetëm dhe për të realizuar vrasjen e tij. Kjo ka ndodhur rreth orës 15:00, kur Reçit i duheshin jo më shumë se 500 metra për të arritur në portën e shtëpisë. Pas vrasjes, autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Forca të shumta policie kanë bërë rrethimin e zonës dhe rrugëve të mundshme nga mund të kalonte autori i krimit. Brenda pak minutash është zbuluar vendndodhja e 38-vjeçarit, në kohën kur po tentonte kalimin nga fshati i tij për në mal e më pas të udhëtonte drejt Dibrës së Madhe. Pas rrethimit, policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, së cilës autori i është bindur, duke hedhur armën. Me pranga në duar është përcjellë për në komisariatin e policisë, ku ka treguar arsyet që e shtynë për t’i dhënë fund jetës bashkëfshatarit. Nga hetimet ka rezultuar se shkak i konfliktit mbetet një pjesë pylli në fshatin e tyre, pasi të dy familjet pretendonin për pronësinë e saj. Megjithë përpjekjet e ndërhyrjen e pleqve të zonës nuk ishte arritur të shuhej konflikti i tyre. Grindjet e shpeshta kanë acaruar marrëdhëniet mes Reçit e Zebës, derisa kanë arritur në planifikimin e vrasjes së babait të tre fëmijëve. Policia e Dibrës pasi ka dokumentuar të plotë ngjarjen ka ngritur ndaj Qemal Zebës, akuzën e “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit, ndërsa policia është përqendruar në fshatin ku ndodhi krimi për të mbajtur nën kontroll gjendjen mes familjeve. Brenda më pak se 1 jave, ky është rasti i tretë i krimit për shkak të pronës. Në dy rastet e para viktimat ishin kushërinj të autorëve dhe për secilin prej tyre është arritur në zbardhjen e ngjarjeve dhe identifikimin e autorëve.