Rrëzohet nga stoli teksa luante, vdes 11-vjeçarja
TIRANE – Një vajzë e mitur 11- vjeçare ka humbur jetën mbrëmjen e së premtes në Fushë Mëzez teksa luante me bashkëmoshatarët e saj. Sipas policisë së kryeqytetit, e cila mbërriti në vendngjarje pas njoftimit nga familjarët, shkak për vdekjen e së miturës Briselda K. ishte rrëzimi nga një stol ku po luante. Ajo ka rënë në dysheme duke goditur pjesën e prapme të kokës, çka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes të së premtes, teksa e mitura ndodhej duke luajtur në oborrin e banesës bashkë me fëmijët e tjerë të lagjes. Pas kësaj familjarët kanë njoftuar policinë, ndërsa bashkëmoshatarët e të miturës kanë shpjeguar se vajza e lodhur nga loja, i kanë rrëshqitur duart nga stoli dhe është rrëzuar nga lartësia në oborrin prej betoni duke humbur jetën. Po kështu edhe ekspertiza mjeko-ligjore ka dalë në të njëjtin konkluzion për shkakun e humbjes së jetës, të vajzës së mitur në Fushë Mëzez. Policia ka hapur një dosje për ngjarjen, e cila do të përcillet në Prokurori, pas kryerjes së veprimeve hetimore të nevojshme për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 11-vjeçares. f.m.