E Diel, 1 Nëntor 2026

Albin Kurti “leksione” politike në UET; Vetëvendosja nuk është parti

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje” e njëkohësisht kryetari për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një bisedë të hapur me studentët e Universitetit Europian të Tiranës

Dy ditë pas 10-vjetorit të daljes nga burgjet e Serbisë dhe në të njëjtën ditë me botimin e komentit të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i cili pa i hequr meritat prej patrioti liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, e quan dogmën e kësaj të fundit, një doktrinë absolutiste që nuk i jep përgjigje pyetjeve të sotme që ka përpara shoqëria shqiptare, Albin Kurti u gjend në një bisedë të hapur me studentët e Universitetit Europian të Tiranës, të cilët e takonin liderin karizmatik të politikës së Kosovës për herë të tretë.

Në pjesën e parë të bisedës, Kurti u ndal në ligjëratën mbi organizimin e lëvizjes politike Vetëvendosja, e cila kurrsesi, shprehu ai, nuk është parti politike, duke u regjistruar zyrtarisht si iniciativë qytetare. “Kishim dy mundësi regjistrimi; si parti politike dhe si iniciativë qytetare. Zgjodhëm të fundit jo se jemi iniciativë qytetare, por se nuk duam të jemi parti politike”, - u shpreh Albin Kurti.

Arsyeja pse zgjodhi që të zhvillohej kjo bisedë me të rinjtë- që në historinë e këtyre 20 viteve të fundit si në Shqipëri e Kosovë janë parë si potencial që sjellin erë ndryshimesh në politikë- vinte nga fakti se sipas tij, në Ballkan mungojnë shqiptarët e organizuar.

“Mendoj se tek asnjë popull tjetër nuk ka një shpërputhje kaq të madhe mes pakënaqësisë evidente në njërën anë dhe mungesës së organizimit në anën tjetër”, -vijoi Kurti.

Për thuajse një orë, ai sqaroi për publikun organizimin strukturor dhe ideor të lëvizjes dhe solli përballë ndryshimet e saj me partitë politike sot në Kosovë.

Lëvizja lindi në vitin 2005, në kuadrin e asaj që më pas u quajt rrjeti i aksionit për Kosovën, por që në pesë vite vendosi që krahas protestave, demonstratave dhe lëvizjeve të tjera simbolike të fillonte aksionin politik dhe në zgjedhjet e para një viti arriti të dalë forcë e tretë në disa qytete të rëndësishme me 12 anëtarë në Kuvendin e Kosovës. “Çdo lëvizje politike apo shoqërore duhet ta ketë organizimin e fuqishëm përndryshe humbet, por nuk duhet të fitojë vetëm për shkak të organizimit. Fitorja duhet të jetë e idesë, e konceptit. Në këtë kuptim, soliditeti i idesë dhe organizimi në terren janë në domosdoshme për fitoren e një lëvizjeje politike.

Synimi i lëvizjes është mobilizimi i qytetarëve dhe për këtë, lëvizja duhet t’i kuptojë qytetarët”, - tha ai pa harruar të theksojë tiparet e shumëdiskutuara të kësaj lëvizjeje, se faktori vendas është ai vendimtar. “Ndihma nga jashtë është jo vetëm e mirëseardhur por edhe e nevojshme, ama vendimtarë janë vendësit, faktori i brendshëm”.

Dy janë arsyet themelore pse “Vetëvendosja” është lëvizje politike dhe do të mbetet e tillë. Besimi i tyre se demokracia nuk duhet të jetë reduktuar në demokraci përfaqësuese, por direkte, pjesëmarrëse. Si edhe mungesa-sipas tyre e sovranitet të shtetit të Kosovës.

“Kjo reflektohet në tri aspekte: Kosova është pa ushtri, gati katër vjet pas pavarësisë, me protektorat ndërkombëtar mbi 12 vjet, dhe nuk ka integritet territori meqë çereku i saj kontrollohet nga struktura paralele dhe ilegale të Serbisë”, - u shpreh ai. Ai vijoi më tej duke parashtruar edhe rreziqet me të cilat përballet një lëvizje politike si lodhja, dogmatizimi dhe devijimi nga koncepti për t’u përshtatur në fitore. Në këtë aspekt, lideri i Vetëvendosjes tregohet radikal.

Nuk është deputeti ai që e ndërton lëvizjen, por lëvizja e ka sjellë aktivistin në pozitën e deputetit. Ne kemi tri testet e vërtetësisë, që deputeti është para së gjithash aktivist; konsistenca e diskursit, të njëjtat fjalë duhet të thotë në protesta, në tubime, në Kuvend, dhe në takimet me ndërkombëtarët, besnikëria ndaj metodës, deputetët duhet të jenë gjithkund ku ndërmerren aksione të demokracisë përfaqësuese apo direkte, dhe testi i tretë është ai i mospasurimit nga politika”. Lëvizja “Vetëvendosje” sot, pas 5 vitesh nga themelimi i saj ka 28 qendra në Kosovë, 6 në diasporë dhe 422 pika të Vetëvendosjes. Kjo lëvizje, përfundoi Kurti, do të mbetet e tillë dhe do i mëshojë fort tri pikave të saj duke e parë atë si shkollë politike, të mendimit se nuk ka aksion pa organizim dhe anasjelltas, si edhe një konsistencë të punës politike, e cila duhet të bëhet publikisht, kolektivisht dhe masivisht me popullin.

Në fund të ligjëratës së tij, ai pati mundësi t’u përgjigjej pyetjeve të ndryshme që i parashtruan të rinjtë rreth detajeve të organizimit të kësaj lëvizjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›