E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbin jetën në aksident dy oficerë të policisë së Përmetit

Makina me të cilën po ktheheshin në komisariat pas një kontrolli, Nuri Kërçani dhe Petrit Lata, është përplasur me këmbët e një ure. Shkak mendohet shiu i rrëmbyer dhe mungesa e fushëpamjes

Përmet-Dy oficerë policie të Komisariatit të Përmetit kanë humbur jetën gjatë një aksidenti automobilistik, mbrëmjen e së martës. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, Petrit Lata 43 vjeç, me detyrë specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet, dhe shefi i Rendit në Komisariatin e Përmetit, Nuri Kërçani 40 vjeç, kanë humbur jetën ndërsa automjeti në të cilin ata udhëtonin është aksidentuar në rrugën kombëtare Këlcyrë-Përmet.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 17.30 të së martës, në segmentin e rrugës kombëtare Këlcyrë-Përmet. Të dy efektivët e Komisariatit të Policisë Përmet ishin duke u kthyer për në komisariat pasi kishin kontrolluar postbllokun e policisë në Këlcyrë. Ndërsa udhëtonin në drejtim të Përmetit, të shoqëruar vazhdimisht nga shiu i rrëmbyeshëm, në vendin e quajtur “Ura e Veroniqit”, automjeti tip ‘Benz’ me targa DR 62 79 B, që drejtohej nga 43-vjeçari Lata, është përplasur me bordurën e urës.

Si pasojë e kësaj përplasjeje ka humbur jetën në vend shoferi i makinës, ndërsa efektivi tjetër i policisë ka ngelur i plagosur rëndë. Menjëherë pas ngjarjes, shefi i Rendit, Kërçani është transportuar për në spitalin e Përmetit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Por si shkak i plagëve të rënda ai nuk ka mundur të mbijetojë. Burime nga policia thanë se dy efektivët po ktheheshin në komisariat ku ishin me shërbim, ndërsa duket se sipas grupit hetimor, shkak i këtij aksidenti me pasoja të rënda ka qenë shiu i rrëmbyeshëm dhe lagështia e madhe mbi asfalt. Burime nga policia thanë se sidoqoftë, ishin duke hetuar rreth shkaqeve të përplasjes, pasi sipas tyre ka gjasa që personi që drejtonte makinën të mos e ketë parë pjesën e parme të urës për shkak të reshjeve të dendura.

Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës e konsideron humbjen e jetëve të dy efektivave të Policisë së Komisariatit të Përmetit si një ngjarje të rëndë që ndodhi në krye të detyrës. Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë mbrëmjen e së martës nga Drejtoria e Policisë në Gjirokastër, pohohet se “ të dy oficerët e policisë ishin në krye të detyrës, pasi kishin shkuar për kontroll të shërbimeve në Këlcyrë, ku dhe funksiononte një pikë kontrolli në bazë të një plani masash të hartuar nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe komisariateve të policisë në vartësi të saj, si dhe në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Qarkullimit Rrugor, “Për forcimin e rendit dhe sigurisë, kontrollin e personave që mund të lëvizin me armë zjarri, parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe të aksidenteve rrugore”. Funksionarët e policisë janë deklaruar të tronditur për ngjarjen, ndërsa u kanë shprehur ngushëllimet familjarëve të dy viktimave. Të dy oficerët e policisë kishin vite në shërbim të armës së policisë. 43-vjeçari Lata ishte baba i dy fëmijëve. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›