Prokuroria mbyll hetimet, skema e mashtrimit me naftën virxhin
Dosja me 16 të pandehurit për kontrabandën e naftës shkon drejt gjykatës. Tri fatura doganore zbardhën gjithë mashtrimin me 17 mijë ton naftë të papërpunuar, e cila u hodh në tregun e brendshëm
Tiranë Plot 16 të pandehur, mes të cilëve edhe tre zyrtarë janë akuzuar nga prokuroria si pjesë e skemës së mashtrimit me naftën virxhin. Dy biznesmenët e njohur, Hajri Elezaj dhe Iljas Fisheku, punonjësit e kompanisë “Fisheku” dhe kompania “Euroil” në pronësi të Elezajt, sipas prokurorisë janë organizatorët e mashtrimit që u ka sjellë miliona euro përfitim. Të pandehur për skandalin e naftës virxhin janë marrë edhe tre zyrtarë, punonjës të tatimeve, doganave dhe antikontrabandës. Dosja voluminoze me 16 të pandehur tashmë i është përcjellë Gjykatës së Tiranës, e cila do të shqyrtojë akuzat që Task-Forcë ka ngritur ndaj personave të përshirë në skemën e mashtrimit të denoncuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Nga hetimet e kryera për këtë çështje, të cilat kanë nisur në tetor të vitit të shkuar, prokuroria ka zbardhur rolin e secilit prej të arrestuarve. Në mars të këtij viti, me kërkesë të prokurorisë, gjykata urdhëroi arrestimin e 13 personave, ndërsa pas hetimeve listës së të pandehurve iu shtua edhe inspektori i antikontrabandës, Arian Daci. Hetimet kanë zbardhur rolin e secilit prej të pandehurve, duke filluar nga Hajri Elezaj, të cilit i rëndon edhe akuza e largimit nga vendi i qëndrimit. Në dosjen hetimore prokuroria thotë se janë zbuluar tri fatura eksporti, nëpërmjet të cilave është zbardhur gjithë pjesa tjetër e çështjes, duke nxjerrë kështu në dritë supermashtrimin. Për ironi, faturat e eksportit tregonin se sasia prej 17 mijë tonësh naftë virxhin do të eksportohej në Libi. “Nga hetimi ka rezultuar se dokumentacioni, për sa i përket praktikave të dy eksporteve të datave 10.02.2009 për sasinë 2625.9 ton dhe dt. 28.02.2009 për sasinë 14583.679 ton, është dokumentacion i cili nuk pasqyron të vërtetën mbi destinacionin e sasisë 17 mijë e 209.579 ton naftë virxhin. Nga këqyrja e dy praktikave doganore pranë degës së Doganës Vlorë rezulton se në kundërshtim me sa pasqyrohet në këto deklarata eksporti, sasia e virxhines nuk është ngarkuar në anijet “Rita S” dhe “Calitea “ dhe nuk ka kaluar nga porti detar Vlorë. Nga këqyrja e dokumentacionit pranë portit detar Vlorë rezulton se anija e fundit që ka transportuar këtë lloj nafte i përket muajit janar të vitit 2009”, - thuhet në dosjen e prokurorisë. Hetimet gjithashtu kanë zbardhur edhe destinacionin e vërtetë të naftës që deklarohej për eksport. Në fakt, sasia e naftës virxhin të blerë nga kompania “Euroil” me qëllim eksportin është rihedhur në tregun e karburanteve. “Nga hetimi rezulton se mashtrimi është kryer në bashkëpunim me shtetasit Bledar Rama dhe Ilias Fisheku. Konkretisht, në kushtet kur sasia e naftës virxhin nuk ka pasur si destinacion eksportin, e gjithë kjo sasi është transportuar me autobote në depozitat e karburantit të ndodhura në Golem, për t’u shitur më pas në tregun e brendshëm. Sasia më e madhe e transportit të këtij nënprodukti është kryer nëpërmjet mjeteve të shoqërisë “Fisheku” sh.a dhe “Martini” sh.p.k, administrator i të cilave është shtetasi Iljas Fisheku”, - thuhet në dosjen që i është përcjellë gjykatës. Më tej akuza ka zbardhur edhe rolin e punonjësve të kompanisë “Fisheku”, përfshi drejtuesit e boteve apo edhe punonjës të tjerë. “Në Ballsh, shoferët kanë kontaktuar me shtetasin Bledar Rama, i cili vepronte për llogari të firmës ‘Euroil’. Këta shoferë të pyetur me cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, kanë pranuar se transportonin naftë virxhin nga Ballshi për në depozitat e Golemit. Në depozitat e ndodhura në Golem, kanë qenë pikërisht dy punonjësit e shtetasit Iljas Fisheku, Fatmir Kaja dhe Nikollaq Llozi, të cilët prisnin autobotet me naftë virxhin, merreshin me shkarkimin e saj, si dhe me dokumentacionin e shoqërimit të mallit.
Bosi i naftës, 216 milionë lekë mashtrim me TVSH-në
Hajri Elezaj akuzohet edhe për mashtrim me rimbursimin e TVSH-së, duke marrë prej buxhetit të shtetit një shumë të madhe parash
Tiranë Një tjetër akuzë e rëndë që prokuroria ka ngritur ndaj biznesmenit Hajri Elezaj është edhe falsifikimi i dokumenteve, nëpërmjet të cilave ka përfituar rimbursim TVSH-je nga buxheti i shtetit. Sipas akt-ekspertimeve të kryera nga ekspertët e caktuar nga grupi hetimor, rezulton se pasqyrimi i sasive fiktive të virxhines si të eksportuara, përveçse ka sjellë rritjen e TVSH-së së rimbursueshme, i ka shkaktuar dëm edhe buxhetit të shtetit. “Mosraportimet e faturimeve në ulje si rezultat i ndryshimeve të kurseve të këmbimit të dollarit amerikan me lekun shqiptar dhe raportimi i kthimeve si sasi të shitura, sjellin si rrjedhojë dhe një paraqitje të pasaktë të marrëdhënieve të shoqërisë ‘Euroil’ me detyrimet dhe të drejtat e saj për raportimin e TVSH-së dhe të tatim-fitimit”, - thuhet në dosje. Në bazë të këtij dokumentacioni, Hajri Elezaj me cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë ‘Euroil’, në datën 15 prill të vitit 2009 ka kërkuar rimbursim të TVSH-së kreditore në vlerën 216 milionë e 400 mijë 076 lekë. Menjëherë, Drejtoria e Përpunimit dhe Menaxhimit të të ardhurave pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë ka urdhëruar kontrollin në vend për saktësimin e shumës së kërkuar për rimbursim TVSH-je nga shoqëria ‘Euroil’. Inspektori i Tatimeve, gjatë kontrollit të ushtruar ka pasur mundësi të konstatojë diferencën midis sasisë së blerë dhe sasisë së shitur (të pasqyruar në deklaratat e eksportit). Ai ka pasur dijeni se subjekti ka pasur gjendje virxhin naftë 3175 ton me datë 31 dhjetor 2008 dhe se blerja e vetme që ky subjekt ka bërë deri më datë 31.03.2009 ka qenë në dt. 15.01.2009 në sasinë 2821.09. Më datë 2 nëntor 2009, inspektori Dashamir Kasaj ka përpiluar shkresën nr. 11412/5 dt. 02.11.2009, sipas së cilës rezulton se ka përputhje të deklarimeve të Doganës me ato të shoqërisë për eksportet e këtij subjekti”, - thuhet në dosjen e prokurorisë.
Akuzat/ të pandehurit
Hajri Elezaj, “mashtrim me pasoja të rënda”, “falsifikim të dokumenteve” më shumë se një herë, “pastrim të produkteve të veprës penale”, “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”
Personi juridik “Euroil” sha, “mashtrim me pasoja të rënda”, “falsifikim të dokumenteve” , “pastrim të produkteve të veprës penale”
Iljas Fisheku, “mashtrim” të kryer në bashkëpunim
Bledar Rama, “mashtrim” të kryer në bashkëpunim
Edmond Ferraj, “falsifikim të dokumenteve”
Arian Daci, “falsifikim të dokumenteve”
Dashamir Kasaj, “shpërdorim detyre”
Fadil Abdurramani “moskallëzim krimi”
Flamur Merkaj, “moskallëzim krimi”
Gazmend Serjanaj, “moskallëzim krimi”
Genci Prençe, “moskallëzim krimi”
Kadri Hajredini, “moskallëzim krimi”
Reshat Aleksi, “moskallëzim krimi”
Vladimir Koteci, “moskallëzim krimi”
Nikollaq Llozi, “moskallëzim krimi”
Fatmir Kaja, “moskallëzim krimi”