E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja, policia kontroll shtëpive ku mund të fshihet i kërkuari

Memaliaj-Edhe gjatë ditës së martë, efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës kanë vijuar kërkimet për zbulimin e vendndodhjes dhe ndalimin e një 30-vjeçari nga Memaliaj, i cili dyshohet se mbrëmjen e së hënës, i maskuar dhe nën kërcënimin e pistoletës grabiti një pikë të “Western Union”-it në Memaliaj. Sipas burimeve zyrtare në policinë lokale, edhe gjatë ditës së martë kanë vijuar kontrollet e disa banesave, në të cilat kishte informacion se fshihej i dyshuari. “Ne disponojmë informacione se grabitësi fshihet në qytetin e Memaliajt, kështu që kemi përforcuar postblloqet policore edhe përgjatë rrugëve hyrëse dhe dalëse të qytetit”, - thonë burime në policinë e Tepelenës. Gjithashtu, grupi hetimor vijon intensivisht mbledhjen e provave materiale në lidhje me zbardhjen e grabitjes me armë zjarri të pikës së shkëmbimit valutor. “Kemi dyshime të forta se në këtë ngjarje është përfshirë edhe një person tjetër, i cili në rolin e bashkëpunëtorit ka qëndruar jashtë pikës së shkëmbimit të valutës në momentin që 30-vjeçari i maskuar po kërcënonte me pistoletë në dorë punonjësin e ‘Western Union’-it për t’i marrë të hollat”, - thonë burime në grupin hetimor. Grabitja e pikës së shkëmbimit të valutës u regjistrua mbrëmjen e së hënës, rreth orës 18:45, në qendër të qytetit të Memaliajt. Në orët e mbrëmjes në pikën e “Wester Union”-it që funksionon në Memaliaj, ka hyrë brenda një person i maskuar që mbante një pistoletë në dorë. Nën kërcënimin e armës, ai ka arritur t’i marrë punonjësit të kësaj pike një sasi të konsiderueshme lekësh, si dhe bono të ndryshme monetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›