Fëmijët gjejnë të varur në pyll kufomën e një burri
Trupi i pajetë, i varur me një litar është gjetur në një pyll pranë fshatit Bërxullë të Tiranës. Dyshimet e para bien mbi arkëtarin e zhdukur muaj më parë
Disa fëmijë janë tmerruar pasditen e djeshme, teksa kanë gjetur të varur në pemë, në një pyll pranë Bërxullit një trup të dekompozuar. Ata kanë lajmëruar prindërit e tyre, përmes të cilëve policia e Tiranës u informua për gjetjen e kufomës së seksit mashkull, që dyshohet të ketë vdekur kohë më parë. Gjatë orëve të pasdites janë kryer hetime si dhe janë hapur dosjet për persona të zhdukur nga familjarët e tyre. Burime nga policia e Tiranës i thanë MAPO-s se ndër të dyshuarit është edhe i zhdukuri Shpëtim Bocerri, arkëtari i një karburanti në Tiranë, i cili u zhduk pa gjurmë në gusht të këtij viti, fill pasi kishte mbyllur punën dhe po lëvizte me një sasi të konsiderueshme lekësh. Hetues policorë janë shprehur se do të jenë analizat dhe verifikimet e mëtejshme ato që do të përcaktojnë identitetin e viktimës. Më 4 gusht të këtij viti, bashkëshorti dhe babai i një fëmije ka humbur çdo kontakt me familjen e tij, duke u zhdukur në mënyrë të mistershme. Ai ka lënë detyrën e arkëtarit të karburantit dhe është larguar në drejtim të shtëpisë, në të cilën nuk mbërriti kurrë. Sipas bashkëshortes së 37-vjeçarit të zhdukur, ditën që ai ka humbur gjurmët ka marrë një telefonatë misterioze, ku personi që e ka telefonuar mund të ketë ndikuar në zhdukjen pa gjurmë të tij. Duke marrë shkak nga kjo dëshmi, policia ka verifikuar tabulatet e celularit, nga ku ka rezultuar se thirrjet drejt numrit të 37-vjeçarit ishin të njohura. Para se të zhdukej, 37-vjeçari ka qenë duke arkëtuar paratë e xhiros ditore të karburantit. Më pas ka mbyllur derën e arkës me çelës, duke u larguar më këmbë në drejtim të urës së Limuthit dhe më pas nuk është parë më nga askush. Me gjetjen e kufomës së dekompozuar policia dyshon se mund të bëhet fjalë për një vetëvrasje, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar identiteti i viktimës. H.Hasani