Albin Kurti, përsëri në gjyq

Dy ditë para se vendi të përfshihet nga manifestimet për nder të vitit të dytë të pavarësisë, Albin Kurtit i duhet të paraqitet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje i duhet të dalë sërish me 15 shkurt, sikurse dy vjet më parë, para një trupi gjyqtarësh të përzier, vendorë dhe ndërkombëtarë.
Akuzat ndaj tij janë të njëjta me ato të para dy vjetëve, me të cilat ish-administrata e UNMIK-ut e akuzonte Kurtin, për demonstratën e 10 shkurtit 2007.
Në atë demonstratë, e cila filloi si paqësore, por u kthye në të dhunshme, humbën jetën dy persona dhe rreth 80 të tjerë u plagosën rëndë dhe lehtë.
Më vonë, nga hetimet e brendshme të UNMIK-ut u vërtetua se ishte policia rumune në kuadër të misionit të OKB-së në Kosovë ajo që qëlloi për vdekje demonstruesit.
Por ata nuk u nxorën kurrë para përgjegjësisë. Në vend të kësaj, nga e njëjta administratë, u akuzua lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Përveç kësaj, ai akuzohet edhe për pjesëmarrje në grup që pengonin personat në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare dhe për thirrjet e tij për rezistencë.
Duket se në rastin e Albin Kurtit nuk ka vlejtur deklarimi i para disa ditëve i misionit të EULEX-it, se ata i kanë mbyllur rastet që i kanë marrë nga ish-UNMIK-u.
“Gjyqi është caktuar të rifillojë më 15 shkurt në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë”, thotë Karin Limdal, një nga zëdhënëset e Misionit të EULEX-it në Prishtinë.
Ajo sqaron që sipas orarit, është parashikuar që seancat gjyqësore në lidhje me këtë rast, të mbahen gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti.
“Kjo është vazhdim i gjyqit që filloi në vitin 2007 dhe çështja u transferua nga UNMIK-u në EULEX”, thotë Limdal për Express.
“Procesi gjyqësor në atë kohë është ndërprerë sepse nuk është gjetur asnjë avokat që donte të mbronte z. Kurti”, thotë zëdhënësja Limdal.
Por duket se zyrtarja e EULEX-it e ka ngatërruar këtë çështje, pasi në fakt ka qenë Albin Kurti ai që nuk i pranonte avokatët.
Lideri i Vetëvendosjes as nuk merrte avokat dhe as nuk i pranonte ata që i caktoheshin sipas detyrës zyrtare nga vetë gjykata. Madje i njëjti në një rast ka kundërshtuar edhe trupin gjykues duke bërë që seanca të shtyhet.
Megjithëkëtë, trupi gjyqësor, sipas zyrtares së EULEX-it, pavarësisht se do të jetë i përzier, për kryetar do të ketë njërin nga gjyqtarët e këtij misioni.
“Z. Kurti akuzohet për pjesëmarrje në turmë duke kryer vepër penale, duke marrë pjesë në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe thirrje për rezistencë. Kjo ka ndodhur në shkurt 2007 në Prishtinë, ku atë ditë edhe dy demonstrues u vranë”, sqaroi zëdhënësja Karin Limdal, në përgjigjen zyrtare.
Por vetë Albin Kurti, pasi shpjegon se EULEX-i tash është thjesht ish- Policia e UNMIK-ut dhe Departamenti i Drejtësisë së UNMIK-ut, thotë se misioni evropian është duke vazhduar punën misionit të OKB-së, jo vetëm në lidhje me rastin e tij.
“Duke mos u marrë me krimet e luftës të kryera nga Serbia, me krimet e strukturave të tanishme paralele, me politikanët e korruptuar vendorë, por duke u marrë me ushtarë të thjeshtë të UÇK-së dhe aktivistë e simpatizantë të Vetëvendosjes, ata janë duke bërë të njëjtën gjë sikurse UNMIK-u”, thotë Kurti për Express.
Lideri i Vetëvendosjes shpjegon se e ka ditur që procesi gjyqësor kundër tij nuk ka përfunduar sepse rasti në shkurt të vitit 2008, vetëm është pezulluar.
"Qysh atëherë në shkurt të vitit 2008, kemi thënë se UNMIK-u po e pret një moment më të volitshëm politik për vazhdimin e gjykimit. Atëherë ishim para shpalljes së pavarësisë. Procesi kundër meje është pezulluar nëntë ditë para shpalljes së pavarësisë", thotë Kurti, duke sqaruar se tash procesin e UNMIK-ut e vazhdon EULEX-i.
“Për këto dy vite kemi shpjeguar shumë qartë se nga EULEX-i nuk mund të priten gjëra të mira”, thotë Albin Kurti.
I pyetur nëse rifillimi i procesit të tij gjyqësor ka të bëjë me heqjen e vëmendjes nga plani për integrimin e Veriut, Kurti shpjegon se misioni evropian është i interesuar që të gjithë zërat opozitarë t’i heshtë dhe ta paraqesë Kosovën si një rrëfim të suksesshëm, përkundër mjerimit social, degradimit ekonomik, dhe stagnimit politik.
“Ata duan ta ruajnë atë që po i thonë stabilitet. Porse ky është stabilitet i padrejtësisë. E si e maskojnë këtë e çka bëjnë tjetër paralelisht, mendoj se kjo është më pak e rëndësishme. Nuk e di sa i kanë sinkronizuar veprimet e tyre, por kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me një sistem politik, i cili bazohet në vlerat evropiane, por me një regjim policor, i cili merret me ata të cilët nuk mund t’i parashikojë, kontrollojë dhe shantazhojë”, thotë Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në lidhje me rifillimin e procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit, ka reaguar të dielën e dhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila përmes një komunikate për media, ky rast është vetëm njëri prej të shumtëve, nga i cili mund të shihet fytyra e vërtetë e EULEX-it.