Ministri Basha: Sfidat e policisë, sigurimi i rrugëve dhe ulja e aksidenteve rrugore

Tiranë, 25 janar, NOA Gjendja e rendit dhe
sigurisë në vend mbetet në një nivel me parametra normalë dhe në vazhdimësi pa
kompromis të luftës ndaj krimit të organizuar dhe grupeve kriminale.
Kështu i ka vlerësuar rezultatet e punës së
Policisë së Shtetit gjatë vitit të kaluar, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha,
gjatë analizës vjetore të mbajtur për këtë institucion.
Rritja me nivelin prej 40% të sekuestrimit të
drogës heroinë dhe niveli 14 % ulja e mbjelljes së kanabisit flet për një punë
efikase të policisë ndaj drogës, tha ndër të tjera ministri Basha.
Sipas tij, Policia e Shtetit në tërësi gjatë
vitit të kaluar i ka përmbushur detyrimet e qeverisë, duke përmendur këtu kryesisht
misionin e ruajtjes dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor 2009.
Fuqizimi i policisë kufitare dhe emigracionit
ka qenë një arritje e madhe tjetër e shënuar gjatë vitit të kaluar, citoi
Basha.
Më tej ai ka shtuar se ka gjithsesi reforma të
tjera të mbetura në strukturim për Policinë e Shtetit, siç është ajo e Policisë
Rrugore që mbetet ende një sfidë për tu realizuar.
Sigurimi i rrugëve dhe aksidentet rrugore mbeten
një problem ende kryesor, por edhe rritja e krimeve ndaj pronës mbetet po e
tillë, e mbylli fjalën e tij ministri Brendshëm Lulëzim Basha, gjatë analizës
vjetore të Policisë së Shtetit.
n.e/NOA