E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albin Kurti takon Topin: Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë

TIRANE- Presidenti Bamir Topi, priti sot delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga drejtuesi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Në këtë takim kreu i shtetit shqiptar vlerësoi institucionet e Kosovës.

“Përpjekjet pozitive e serioze të shtetit e qeverisë kosovare janë evidentuar kryesisht edhe gjatë procesit të tanishëm të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve teknike mes dy vendeve, me synim funksionimin sa më mirë të një shteti demokratik dhe multietnik me institucione të konsoliduara”. Vuri në pah presidenti Topi.

Në këtë drejtim, Kryetari i Shtetit nënvizoi rolin e rëndësishëm të Kuvendit të Kosovës e të partive politike parlamentare, maturinë dhe bashkëpunimin mes palëve, pavarësisht mendimeve apo orientimeve të ndryshme politike, çka vlen si shembull për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërparlamentar për të realizuar synimin e dy vendeve tona ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike.

Nga ana e tij, Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Punëve të Jashtme vlerësuan mbështetjen e vazhdueshme te presidentit Topi dhe institucioneve shqiptare për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Zoti Kurti dhe parlamentarët e tjerë u shprehen se "Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në ecurinë e reformave të saj për forcimin e shtetit, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane. "

Më tej delegacioni i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga drejtuesi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti,, u prit ne nje takim edhe nga zv.kryeministri e ministri I jashtëm Edmond Haxhinasto.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›