E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, KFOR mbyll rrugët alternative të serbëve lokalë

MITROVICE- Ushtarë të KFOR-it kanë vendosur bllokadë të re në rrugën magjistrale në veri të Kosovës, afër Rudnicës, Bllokada e re është vendosur përkatësisht qindra metra në dalje nga baza e KFOR-it, përtej pikës kufitare Jarinje në drejtim të kufirit me Serbinë. Ata kanë vendosur automjetet e tyre të blinduara edhe në rrugën tjetër alternative afër Jarinjes. Kjo rrugë është ndërtuar ditë më parë nga grupet ekstremiste serbe, dhe KFOR nuk po lejojnë qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve në këtë rrugë bën të ditur gazeta kosovare, Express.

Ushtarët e KFOR-it me automjetet e tyre kanë nisur të mbyllin tërësisht rrugën alternative.

Ndërkohë, serbët kanë përforcuar barrikadat e rërës mbi lumin Ibër edhe me tre kamionë zhavorr. Mediat kanë njoftuar se grupet kriminale serbe, kanë zbrazur kamionët me rërë si kundërpërgjigje për vendosjen e një kontingjenti të KFOR-it gjerman në afërsi të lumit Ibër. Megjithatë, situata në veri të Kosovës raportohet e qetë por tensioni vazhdon të mbetet. Qetësi ka pasuar edhe në dy pikët kufitare - Bërnjak dhe Jarinjë, ndërsa serbët kanë bërë roje gjatë gjithë natës në afërsi të barrikadave.

Ndërkohë që situata politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës, do të jetë pika e vetme e rendit të ditës së sotme, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës.

Seanca është kërkuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në zbatim të Ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe Statutit të Komunës.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›