E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albo Bare: S‘dua të gjykohem nga Hajdari

 

Armand Bajrami

I akuzuari i Prokurorisë si kreu i “bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, kërkoi dje përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga pesëshja gjykuese e dosjes së tij tek Krimet e Rënda. I njohuri edhe me emrin Alfred Shkurti, i ekstraduar dy javë më parë nga Turqia pretendoi në kërkesën e paraqitur gjykatës se procesi ndaj tij kishte marrë ngarkesa mediatike dhe politike. Fill pas kërkesës së avokatit të Aldo Bares, kryesuesja e seancës, gjyqtarja Fatmira Hajdari, relatoi para palëve se do të paraqiste dorëheqjen e saj tek kryetari i Gjykatës për Krimet e Rënda. Pesëshja e gjyqtarëve që do të gjykojnë Aldo Baren tek Krimet e Rënda janë të deleguar nga Gjykata e Tiranës me një urdhër të Këshillit të Lartë i Drejtësisë, pasi gjyqtarët e Krimeve të Rënda janë konsumuar në gjykimin e pjesës tjetër të bandës së Lushnjës. Në rast se titullari i kësaj gjykate do të pranojë dorëheqjen e gjyqtares Hajdari, atëherë një KLD do të delegojë një tjetër gjyqtar në këtë trupë gjykimi.
SEANCA
Gjatë prezantimit të palëve nga gjykata, i cilësuari si “kapo”-ja i “bandës së Lushnjës”, kërkoi të identifikohej me emrin Aldo Bare. “Emri im është Aldo Bare. E kam ndryshuar ligjërisht”, u shpreh i pandehuri para gjykatës. I veshur me një xhaketë të zezë, pantallona gri dhe një bluzë të bardhë, Bare, konfirmoi para gjykatës edhe dënimin e marrë në mungesë nga gjykata e Elbasanit në vitin 2001. Ndërsa depozitoi në gjykatë pak ditë më parë kërkesë për lirimin nga paraburgimi për shkak të tejkalimit të të gjitha afateve ligjore dje Aldo Bare, kërkoi përjashtimin e kryesueses së seancës. “Çështja në ngarkimin tim ka marre ngarkesa të ndryshme si mediatike ashtu edhe politike. Me qëllim që si për mua, ashtu edhe për përgjithësi për opinionin të mos paragjykohet vendimi që kjo gjykatë e nderuar do të marrë, duke përjashtuar me këtë rast çdo shkak dhe arsye personale, kërkoj që ky trup gjykues të mos kryesohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari” lexoi në seancë avokati Vladimir Meçi kërkesën që mbante në fund firmën e Aldo Bares. Pasi kërkesa me shkrim iu dorëzua gjykatës, gjyqtarja Fatmira Hajdari u shpreh se do t’i parashtrojë kreut të Gjykatës për Krimet e Rënda dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështjeje. Kërkesa e bërë dje nga i pandehuri Bare, si edhe komunikimi i kryesueses Hajdari për heqje dorë e shtynë për një seancë tjetër shqyrtimin e kërkesës nëse afatet ligjore të mbajtjes në paraburgim të Aldo Bares kanë kaluar apo jo.
Më 25 nëntor 2009 Aldo Bare u ekstradua në Shqipëri nga Turqia, vend ku mbahej që prej arrestimit të tij në këtë vend në nëntor të vitit 2006.

Masat e sigurisë
Siguria fizike e Aldo Bares dje në Gjykatën për Krimet e Rënda është mundësuar vetëm nga punonjësit e policisë së institucionit. Ndryshe nga transporti i tij nga Rinasi në Tiranë, nën shoqërimin e forcave RENEA, dje në ambientet e gjykatës nuk ka pasur forca policie shtesë. Transporti i tij nga paraburgimi 313 në gjykatë është bërë nëpërmjet tunelit nëntokësor që lidh këto institucione. 

Bare në burg, largohen nga 313-ta, anëtarët e bandës
TIRANE – Izolimi i Aldo Bares në qelitë e paraburgimit 313 në kryeqytet, nuk ka kaluar “pa zhurmë” në këtë institucion. Pak ditë më parë disa prej të akuzuarve të “bandës së Lushnjës”, që sipas prokurorisë dikur ishin “ushtarë të Aldo Bares”, janë transferuar nga ky paraburgim. Lëvizja e tre të pandehurve në procesin e “bandës” tek Krimet e Rënda është bërë vetëm pak ditë pasi në të njëjtin paraburgim është vendosur Bare. Burime të konfirmuara pranë paraburgimit të sigurisë së lartë 313 pohuan dje transferimin për në paraburgimin 302 të të paraburgosurve Ilir Stergu, Rexhep Gina dhe Arben Boriçi. Mësohet se transferimi i tyre është realizuar rreth një javë më parë, kohë që përkon me ditët e para kur edhe Aldo Bare ishte vendosur në një nga qelitë e 313-ës. Ndërkohë që zyrtarisht, nuk pranohet që transferimi i të paraburgosurve Stergu, Gina dhe Boriçi të ketë lidhje me dërgimin në 25 nëntor të Aldo Bares në një nga qelitë e paraburgimit “Jordan Misja” në Tiranë. Ilir Stergu, Rexhep Gina dhe Arben Boriçi aktualisht janë duke u gjykuar në Gjykatën për Krimet e Rënda për veprat penale të kryera prej tyre në kuadrin e organizatës kriminale të quajtur “banda e Lushnjës”. Sipas prokurorisë ata akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshi edhe “vrasje me paramendim”.                  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›