E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albpetrol”, Ruli raporton për largimin e 1100 vetave

Katër deputetë të Kuvendit do të shkojnë në Patos për t'u njohur nga afër në lidhje me reformën që po ndërmerret në "Albpetrol", ku do të shkarkohen nga puna mbi një mijë punonjës. 

bledar hoti

Kështu ka vendosur komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese pas raportimit të bërë për këtë çështje nga ana e ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli. Reforma në ndërmarrjen më të madhe të përpunimit të naftës ka shkaktuar polemika ndërmjet socialistëve dhe demokratëve, ku opozita fajëson maxhorancën se shkarkimet po realizon vetëm me motive politike. Pas mbledhjes, komisioni vendosi që deputetët Ilir Bano i PD-së, Pilo Keri, Fatmir Xhindi dhe Ylli Bufi të PS-së të zhvillojnë një takim me banorët në Patos, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje shkarkimet që po kryen. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i "Albpetrol"-it, Ylli Gjoni, i cili bëri dhe panoramën e reformës në këtë ndërmarrje.
Raportimi i Rulit
Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, hodhi poshtë pretendimet e opozitës se shkarkimet në ndërmarrjen e "Albpetrol"-it po realizohen për motive politike. Ai akuzoi se në periudhën e socialistëve ka pasur pseudoreformë ku punonjësit janë paguar, madje sipas tij, janë shpërblyer nga qeveritë e majta sa herë që ka pasur zgjedhje. Ruli hodhi poshtë pretendimet për mostransparencë, ndërsa përmendi rastin më tipik të shkarkimit të vitit 2001 dhe të vitit 2002. "Nuk është e vërtetë se kemi përjashtuar të gjithë punëtorët që janë punonjës të PS-së dhe kemi lënë punonjësit e PD-së. Edhe po të shohësh rakordimin e shifrave, do të shikoni se nuk është aspak e vërtetë pasi duhet të kisha hequr të gjithë punonjësit që në vitin 2005", deklaroi Ruli. Ministri theksoi se, "në këtë proces janë bërë takime të vazhdueshme me sindikatën për reformën, si dhe janë diskutuar për javë të tëra për kriteret e reformës". Ndërsa kryekomisioneri Ylli Bufi ka shprehur rezerva në lidhje me reformën e nisur. "Nga të dhënat që ne kemi na rezulton se 1100 punonjësit që do të dalin në pension ose në reformë, është aq sa numri i të punësuarve pas vitit 2005", shtoi ai. Socialisti Bufi vijoi se, "e pranoj se edhe qeveria ime para 2005 ka gabuar në politikat e punësimit, duke punësuar militantë, por një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë. Mendoj se kriteret e vendosura janë politike". Ndërsa debati më i ashpër ka qenë mes Rulit dhe deputetit Xhindi. Ruli duke iu përgjigjur deputetit të PS-së se "pse lihen jashtë të aftët dhe punësohen të paaftët", deklaroi se, "kjo tregon në mënyrë të paskrupullt se kanë emëruar xhahilët, është padrejtësi të mendosh një gjë të tillë, që ne kemi punësuar të paaftët dhe ju keni punësuar të aftët". Ndërsa Xhindi iu përgjigj se, "ti si ministër nuk ke informacionin e duhur, kjo e tregon një gjë të tillë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›