E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Të shuhen të gjitha strukturat paralele serbe

Presidenti Fatmir Sejdiu ka kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtarë që të shuajnë të gjitha strukturat paralele serbe në Kosovë, për më tepër, kur qeveria e Serbisë po përgatitet të formojë 

struktura të reja paralele në pushtetin lokal, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Mandati i liderëve aktualë të pushtetit lokal në zonat serbe në Kosovë, të zgjedhur nga UNMIK, përfundon më 18 qershor. Presidenti i bëri këto komente pas takimit me ambasadorin e Danimarkës në Vjenë, Hugo Ostergaard Andersen, i cili është emëruar edhe ambasador në Kosovë, ndërsa Andersen i dorëzoi presidentit Sejdiu letrat e njohjes së shtetit të Kosovës. Sejdiu theksoi se, çdo proces jashtë kornizës ligjore të Kosovës është ilegal, duke iu përgjigjur kështu paralajmërimeve të qeverisë së Serbisë se do të ndërtojë struktura paralele të pushtetit lokal në Kosovë. “Ne kemi kërkuar dhe ashtu është bërë në deklarim shumë qartë nga ana e PSSP z. Ryker që të thotë se ky proces është i papranueshëm për Kosovën dhe jashtë ligjit dhe është thyerje edhe e kornizës ligjore ndërkombëtare, që ka të bëjë me Kosovën dhe natyrisht edhe në veprimet e mëtejshme”, tha Sejdiu. Edhe plani i Ahtisarit parasheh shuarjen e strukturave paralele në Kosovë dhe Presidenti Sejdiu kërkoi nga mekanizmat ndërkombëtare që të zbatojnë dispozitat e pakos. “Ne do të insistojmë për këtë kohë sa është edhe pjesë e kompetencave ndërkombëtare të veprohet në relacion të shembjes së këtyre strukturave në mënyrën më energjike të mundshme. Edhe projekti Ahtisari e ka të paraparë një provizion shumë eksplicit se, do të angazhohen edhe misioni ndërkombëtar për shuarjen e strukturave paralele, që edhe veç, ekzistojnë”, tha Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›