E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andersen: Hyka, blerje e zgjuar

Trajneri i Mainc 05, Jërn Andersen, e ka cilësuar blerjen e Hykës si një goditje të madhe të klubit të tij. 

Gjatë prezantimit të mesfushorit shqiptar dje në konferencën për shtyp, ai ka folur me superlativa për 20-vjeçarin nga Tirana. “Unë e di që Jahmir Hyka ka qenë në listën e shumë klubeve gjermane, por edhe jashtë Gjermanisë. Me blerjen e tij, ne kemi marrë një futbollist mjaft kreativ dhe tepër të shpejtë, i cili është në gjendje të ndryshojë lojën në çdo moment. Jam i bindur se në skuadrën tonë ai do të përmirësohet akoma më shumë si futbollist dhe do t’i japë një kontribut të madh kësaj skuadre”, është shprehur trajneri Andersen. Lojtari i përfaqësueses shqiptare është shprehur mjaft i lumtur për kontratën që nënshkroi me Maincin. “Jam i lumtur dhe gjithë këtë arritje, qoftë edhe në aspektin financiar, ia dedikoj familjes sime, e cila me aq sa mundësi ka pasur, ka investuar gjithçka te unë. Shpresoj që të përmirësohem vazhdimisht dhe t’i shërbej sa më shumë skuadrës sime. Dua të bëhem dikush dhe do të bëj të pamundurën që ta realizoj këtë ëndërr”, ka thënë Hyka. Klubi i Maincit, përveç kontratës tepër të majme, prej 1.7 milionë eurosh në tre vjet, i ka vënë në dispozicion lojtarit edhe një makinë tip BMW të tipit të fundit, si dhe 12 bileta avioni vajtje-ardhje Tiranë-Frankfurt. Transferimi total i Hykës ka qenë rreth 3.5 milionë euro, por duke qenë se sipas ligjeve gjermane 49% të shumës i kalojnë shtetit në formë taksash, Hyka arriti të përfitonte 1.7 milionë euro, një shumë e konsiderueshme kjo për Hykën dhe familjen e tij. Klubi i ka ofruar Hykës edhe fanellën me numrin 10, por ai e ka refuzuar atë, pasi e shihte si një përgjegjësi të madhe, ndaj ka zgjedhur numrin 18. “Ne e kemi vëzhguar prej kohësh Hykën. Së fundi, në ndeshjen e Shqipërisë kundër Polonisë. Ai padyshim është një talent i madh me cilësitë e një futbollisti të shkëlqyer. Tani i duhet të tregojë veten në një kampionat më të vështirë dhe ne do t’i japim kohën e duhur për ta bërë këtë”, ka thënë menaxheri i Maincit, Kristian Haidel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›