E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albpetrol, asnjë investim për ruajtjen e mjedisit”

 

FIER – Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli kërkoi dje nga drejtuesit e kompanisë “Albpetrol” të kenë prioritet parandalimin e ndotjes së mjedisit. I pranishëm në analizën 6-mujore të kompanisë së naftës, ministri Ruli deklaroi në Fier se nga ana e “Albpetrol”-it nuk është investuar në mbrojtjen e mjedisit. “Nevojat për rigjenerimin e mjedisit, i cili prej dekadash paraqet një ndotje vrasëse, janë shumë të mëdha. Duhet kthyer patjetër në prioritet parandalimi i ndotjes. Shifrat e gjashtëmujorit të parë nuk flasin për punë të mirë dhe vlera e investimeve në masën 6-8 % për mbrojtjen dhe rehabilitimin e tij është fare, fare e papranueshme. Ndaj ju duhet të hartoni një strategji të plotë ku të shikohet me prioritet përmirësimi i nivelit të ndotjes”, ka pohuar ministri Ruli. Me tone të ashpra ministri ka folur edhe për nivelin e investimeve që lidhen me përmirësimin e teknologjisë në këtë kompani. “Nuk ka justifikim për këtë mosrealizim. Nga 100 për qind është realizuar vetëm 48 për qind dhe kjo nuk ka arsye madhore që ta motivojë”, ka thënë ministri. Analiza 6-mujore e “Albpetrol”-it përbëhej nga tregues të mirë, përveç kostos së prodhimit dhe shpenzimeve për paga, të cilat sipas specialistëve të kompanisë, lidhen me reformën dhe realizimin e saj të shtyrë në kohë.                                    m.r

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›