Punonjësit e konvikteve një muaj pa rrogë
KORÇE – Prej një muaji 28 punonjësit e konvikteve të shkollave të mesme të qytetit të Korçës nuk marrin rrogat e tyre. Drejtoria Arsimore rajonale e Korçës nuk mban më asnjë përgjegjësi për ta, pasi administrimi i konvikteve tashmë kanë kaluar në varësi të Bashkisë Korçë. Ndërsa burime pranë bashkisë së qytetit pohojnë, se ende nuk kanë mbërritur fonde për këtë qëllim. Mësohet se shkak i situatës së krijuar, janë bërë pushimet e verës si dhe ndryshimi në kreun e Ministrisë së Arsimit. Gjithsesi, pas interesimit të bashkisë, pritet që shumë shpejt të mbërrijë fondi për pagesën e punonjësve, por ende nuk ka një përgjigje të saktësuar se kur. Mësohet se godinat e konvikteve dhe punonjësit e tyre kanë kaluar në administrim të bashkisë që në datë 1 korrik, në bazë të një vendimi qeverie Nr. 502 dt.16 prill 2008, për administrimin e konvikteve të sistemit arsimor parauniversitar. Por edhe pse që prej kësaj date bashkia ka nën juridiksionin e saj konviktet, asnjë rrogë nuk është dhënë për punonjësit. Për rrjedhojë, ata po përballen me vështirësitë financiare, pasi është po kjo rrogë me të cilën mbajnë familjet e tyre. j.gj