Fiqiretja: Mehmeti manipuloi hetimet e gjeneralëve të grushtit të shtetit
AFRIM IMAJ
“Mehmet Shehu ka qenë kryepuçisti. Kadriu ishte dora e djathë e tij!”. I vërtetë apo jo ky fakt i bërë i njohur nga e veja e ish-kryeministrit komunist në gjyqin e gushtit ‘83, për trupin gjykues përbën një nga provat më të rëndësishme të veprimtarisë së Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Për herë të parë Fiqirete Shehu bën të ditur se, i shoqi i saj dhe Kadri Hazbiu kanë qenë krerët e vërtetë të grupit puçist të ushtrisë, të dënuar në vitin ’74, duke shtuar se ata kanë bërë ç’është e mundur për të shmangur nga hetimet zbulimin e të vërtetës për grushtin e shtetit, që mbeti në tentativë në mesin e viteve ‘70. Në vazhdim të dëshmisë, e veja e kryeministrit zbulon misteret nëpërmjet të cilave është realizuar fshehtas kufizimi i hetimeve të gjeneralëve, që do të bënin puçin ushtarak. Mehmeti, pohon ajo, kishte ngarkuar Kadri Hazbiun, për të monitoruar nga afër hetimet e gjeneralëve në mënyrë të tillë, që akuza ndaj tyre të mbetej vetëm në kuadrin e çështjeve, që kishin dalë në mbledhjen e KQ dhe Byrosë Politike. Fiqirete Shehu shton se ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu i urdhëruar nga Mehmeti ka bërë përzgjedhjen e trupës së hetuesve dhe prokurorëve dhe janë orientuar ata për ta mbyllur procesin vetëm me viktimizimin e gjeneralëve të lartë të ushtrisë. Më tej, Fiqirete Shehu, zbardh rolin e veçantë që ka pasur në zbatim të këtij skenari, Feçor Shehu, njeriu të cilit Kadriu i kishte besuar misionin për të fshehur provat komprometuese, që dilnin për ta, gjatë hetimit të puçistëve. Po kështu, sipas të vesë së ish-kryeministrit, Feçor Shehu është përkujdesur indirekt për familjarët e shtatmadhorëve të dënuar, për sistemimin e tyre me punë e strehim dhe ka transmetuar tek ata shpresën, se kjo gjendje ishte e përkohshme dhe dikush do interesohej për ta. Një tjetër episod që rrëfen bashkëshortja e Mehmet Shehut, është mënyra si është realizuar fejesa e djalit të saj me Silva Turdiun, vajzën e shumë përfolur për biografi të keqe politike. Në variantin që ajo ofron në sallën e gjyqit, kjo lidhje ka qenë një rekomandim i zbulimit amerikan në bashkëpunim me Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun (!)...
RRAPI MINO: Ka pasur lidhje Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e të tjerët me grupin e puçistëve dhe të sabotatorëve në ekonomi?
FIQIRETE SHEHU: Ka pasur lidhje ndërmjet tyre. Kadri Hazbiu, sikurse dhe Mehmet Shehu kanë qenë në lidhje me puçistët. Mehmet Shehu ishte njoftuar qysh në vitin ’70-’71 nga një prej agjenturave, ose sovjetike ose jugosllave, nuk më kujtohet se cila, që në ushtri vepronte një grup armiqësor i kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako. Për një grup të tillë i kishte folur, po në këtë kohë ‘71-‘72 edhe Feçor Shehu, Mehmet Shehut, të cilit nuk i ra në sy, nuk iu hap Mehmet Shehu, meqë dhe porosia e agjenturës ashtu ishte, që as Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, mos t’iu hapej, por vetëm të vepronte, ndërsa Kadri Hazbiu ia ka thënë Mehmet Shehut dhe Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu kanë qenë, jo vetëm në dijeni të grupit të puçistëve, por kanë qenë edhe organizatorë dhe drejtues të këtij grupi. Frymëzues për grupin e puçistëve që të godiste vijën e Partisë dhe tezat e Këshillit të Mbrojtjes, meqë dhe këta vetë kishin të atilla pikëpamje dhe vepruan, në fakt, kur u bënë ministra njëri pas tjetrit, të Mbrojtjes Popullore, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu kanë pasur pikëpamje diametralisht të kundërta me vijën e Partisë, me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, me kërkesat e Artit Ushtarak Popullor në të gjitha drejtimet, si përsa i përket karakterit të ushtrisë sonë, përsa i përket luftës frontale pozicionale, shkollave të lira, falsifikimeve, rolit udhëheqës të Partisë në ushtri. Thashë jo vetëm kanë zhvilluar biseda dhe kanë frymëzuar drejtuesit e grupit puçist, por edhe vetë kanë vepruar në atë drejtim.
RRAPI MINO: Lidhur me manipulimin pastaj, çfarë do bëhej se u arrestuan ata, kishin frikë...
FIQIRETE SHEHU: Atë do ta dëshmoj kur të flasë për Feçor Shehun. Feçor Shehun unë e kam njohur në pozicion armiqësor për herë të parë më 1956.
ARANIT ÇELA: Në prag të Konferencës së Tiranës...
FIQIRETE SHEHU: Feçor Shehu ka qenë çështja e manipulimit pas Konferencës së Tiranës, çështja e informimit të Mehmet Shehut në ‘70-’71, kurse pas goditjes së grupit të puçistëve në ‘74, pastaj dhe të sabotatorëve në ekonomi duhej të manipulohej puna e të mos dilte asnjë nga anëtarët e organizatës tonë kundërrevolucionare, të kufizohej çështja tek ata, që qenë goditur dhe u morën masa nga Kadri Hazbiu e nga Feçor Shehu në këtë periudhë, që qysh në zgjedhjen e hetuesve, siç tha një herë Kadri Hazbiu, se unë prapë i shpreha një herë Mehmet Shehut, frikën se mos dalim ne dhe tha se për këtë është marrë vetë, Kadri Hazbiu me Feçor Shehun dhe një herë që Kadri Hazbiu, që në shtëpi tha, se është i drejtë shqetësimi dhe meraku i Fiqiretes, por ne kemi marrë masa për këtë çështje qysh nga zgjedhja e hetuesve edhe nuk i lëmë hetuesit të bëjnë si duan vetë. Një herë gjatë hetimit duhet të përdorin edhe atë kërcënimin në një farë mënyre që të flasin dhe të kufizohen në punët ç’kanë bërë vetë dhe ç’kanë bërë me njëri-tjetrin, ose me njerëzit e kastës, por jo të dalin jashtë kësaj sikurse dhe në fakte të kufizohen në ato fakte që kanë dalë në Plenumin e 5-të e të 6-të të Komitetit Qendror. Ndërsa, Mehmet Shehu më tha, duke qenë prezent dhe ai, që para se të bëhen procese, ato thëniet e Beqir Ballukut, të Hito Çakos, Petrit Dumes, sikurse dhe më vonë të sabotatorëve, shikohen me kujdes nga ana e kuadrit, nga ana e Feçorit. Përsa i përket manipulimit është edhe çështja që me elementet e arrestuar do të mbahej ky qëndrim, kurse me familjet e tyre të mbahej një qëndrim i tillë, që t’u jepej shpresë që gjendja e tyre ishte e përkohshme, çështja do të rregullohej dhe të merreshin masa që të lehtësoheshin qoftë për gjetjen e punës, qoftë për gjetjen e strehimit dhe që t’ju jepej të kuptonin që dikush mendonte për ta... Në fakt një qëndrim i tillë u mbajt dhe ndaj nesh, mua dhe fëmijëve të mi, kur qemë në Belsh, që pa u bërë as 10 ditë, u dërgua menjëherë një person, Kristofor Mërtiri, për të na thënë ç’nevoja kishim, a u vendosën menjëherë fëmijët në punë, do të na jepej strehim më i gjerë e më i mirë etj., etj. Ndërsa, për manipulimin, Mehmet Shehu, më pat thënë që masa merren jo vetëm këtu për të mos dalë asnjë person tjetër nga anëtarët e organizatës sonë, por edhe me zbuluesit tanë jashtë shtetit. Për këta interesohej direkt Kadri Hazbiu, por edhe Feçor Shehu, dhe zbuluesve u thuhej që të kenë kujdes, që të mos bëjnë ndonjë hap, mos hedhin ndonjë hap që të kapen edhe të tjerë, se kjo nuk i intereson shtetit tonë dhe sidomos, të ruhen të mos hyjnë në sferat e larta. Duke u justifikuar, se në sferat e larta s’kemi ç’të marrim, s’kemi ç’të sigurojmë. Kurse qëllimi i vërtetë ishte se pikërisht, nga ato sfera mund të dilte ndonjë gjë për drejtuesit e organizatës sonë kundër revolucionare, komplotiste e puçiste, për Mehmet Shehun, për Kadri Hazbiun ose për ndonjë tjetër. Për Feçor Shehun, veç këtyre që thashë, është dhe çështja se Feçor Shehu, qysh në vitin 1979, ka bashkëpunuar me Mehmet Shehun për çështjen, për kurdisjen më mirë të them, të fejesës së djalit tonë me vajzën e Qazim Turdiut. Në 1979, nga gjashtëmujori i dytë, Mehmet Shehu, nëpërmjet radios me foni, që kishte sjellë nga Parisi, më ‘72, kishte marrë një porosi nga agjentura amerikane, që të bëhej fejesa e djalit tonë me një vajzë me përbërje të keqe politike dhe Mehmet Shehu kish thirrur Feçor Shehun, e kish pyetur dhe kishin rënë dakord për vajzën e Qazim Turdiut, për të cilën Feçor Shehu kishte thënë, që është vajzë e mirë dhe e përshtatshme për një fejesë të tillë nga çdo pikëpamje. Për këtë di, që qysh në atë kohë kish pyetur edhe Kadri Hazbiun nëse e njihte këtë vajzë dhe Kadri Hazbiu kishte thënë, që kjo është e përshtatshme për një fejesë të tillë midis Nelit, Skënder Shehut d.m.th., dhe vajzës së Qazim Turdiut. Pra, kjo ishte e kurdisur, një pjesë e tillë sipas diktimit të agjenturës amerikane midis Mehmet Shehut dhe Feçor Shehut. Ndërsa thirrja e Feçor Shehut në korrik të 1981 u bë si mbulesë, edhe për ta paraqitur siç më tha Mehmet Shehu natën e 2 ose 3 dhjetorit, nuk më kujtohet ekzakt, kur më shpjegoi për çështjen e kësaj fejese, të kësaj kurdisjeje si qe bërë dhe si ai qe i detyruar ta bënte këtë, duke bashkëpunuar me Feçor Shehun, siç thashë. Këto të dhëna, në korrik i kërkova tha, Mehmet Shehu për t’i thënë ty, për t’u hequr që ja do të ta shpjegoja që me këtë gjendje mund të bëhet një fejesë e tillë, se ne ndajmë 4 pjesëtarë të familjes nga rrethi tjetër, vajza as kishte lindur në atë kohë, as i njeh s’ka pse të mbajë përgjegjësi etj. Dhe gjithashtu e bëra tha Mehmet Shehu këtë, sepse edhe po të na kërkojnë llogari Partia, kemi me se të dalim, pse kurdisi alibinë lidhur me fejesën e djalit tonë, siç e ka quajtur me të drejtë Partia. Kurse moment tjetër i rëndë në veprimtarinë e Feçor Shehut është ajo e natës së 16 dhjetorit, që ka ardhur në shtëpinë tonë. Unë vetë nuk e kam takuar Feçor Shehun, për herë të parë dëgjova për këtë më datën 17 dhjetor, kur Mehmet Shehu më tha që do zbres të pres Kadri Hazbiun, se një ditë më parë kish vajtur dhe i kish thënë Feçor Shehu si me shkrim edhe me gojë atë ultimatumin, kërcënimin jugosllav që, o të bënte vrasjen e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror në Byronë Politike, ose ata do të nxirrnin të dhëna komprometuese për veprimtarinë armiqësore të tij ndaj PPSH-së. Ky është një moment tjetër i rëndë. Çfarë ka bërë pastaj pas arrestimit tim unë nuk di, qoftë për Kadri Hazbiun, qoftë për Feçor Shehun e për Mihallaq Ziçishtin. Mihallaq Ziçishti, unë për atë kam dëgjuar për herë të parë në ‘53, për pozicionin armiqësor nga ana e Mehmet Shehut, i cili më shpjegoi që ishte në pozicion shumë të hershëm armiqësor, qysh në ’43, që siç i kishte thënë Panajot Plaku, ishte futur në veprimtari armiqësore nga Koçi Xoxe, direkt në shërbim të zbulimit jugosllav, ose në kohën kur Koçi Xoxe, po përcillte Vukmanoviç Tempon, për në Kuçakë, kur kthehej andej, për ta përcjellë në Maqedoni, ose kur u kthye nga Maqedonia, po përgjithësisht në verë të ’43, kurse për veprimtari armiqësore direkt të Mihallaq Ziçishtit unë mora vesh, siç thashë më ’53, kur Mehmet Shehu e kish ngarkuar Mihallaqin, së bashku me Kadri Hazbiun për përpilimin e listave për të cilat fola, ku të futeshin edhe disa agjentë amerikanë. Rolin e Mihallaq Ziçishtit, në Konferencën e Tiranës, më duket se fola, ai ka qenë një ndër kryesorët gjithashtu, në të tria fazat. Qoftë përpara, gjatë përgatitjes, qoftë gjatë zhvillimit të Konferencës, qoftë edhe më pas. Duke mbajtur lidhje nga një anë me Svetozar Koçiçin, zbuluesin jugosllav, nga ana tjetër me Kadri Hazbiun, me Mehmet Shehun, lidhje dyshe ishin këto përgjithësisht, siç e kam shpjeguar edhe me Feçor Shehun. Veprim tjetër i rëndë në veprimtarinë armiqësore të Mihallaq Ziçishtit, siç kam shpjeguar hollësisht në seancat hetimore, sikurse dhe fola para trupit gjykues kur u gjykua çështja ime, ishte çështja e arratisjes së Panajot Plakut, për të cilin ka luajtur rol të posaçëm bashkë me Kadri Hazbiun edhe Mihallaq Ziçishtin. Mihallaq Ziçishti, siç më ka treguar Mehmet Shehu, ka qenë në dijeni edhe për puçin që do të organizohej, nuk di të flas këtu apo është më vete? ...
ARANIT ÇELA: Do flasim veç për atë…
vijon nesër...
Përse gazeta "Panorama" po e boton dosjen e dënimit të Fiqirete Shehut?
Prej disa ditësh gazeta "Panorama" është duke botuar dosjen e gjyqit të Fiqirete Shehut, bashkëshortes së ish-kryeministrit të vetëvrarë shqiptar, Mehmet Shehu. Me vlerën e dokumenteve autentike, ky material botohet për herë të parë në një media shqiptare dhe për këtë shkak ka gjetur edhe interesimin e lexuesve të shumtë. Natyrisht që gazeta nuk merr përsipër dhe nuk mundet të shoqërojë këtë dosje me qëndrime të saj, edhe pse dëshmia në gjyq e Fiqirete Shehut edhe të tjerëve duken të montuara dhe kështu mund të jenë. Nga ana tjetër, në këto dëshmi janë ndërfutur të dhëna për pothuaj gjithë historinë e nëndheshme të komunizmit shqiptar deri në këtë periudhë, edhe pse qëllimi i sjelljes së tyre është për të ndërtuar apo rindërtuar akuza politike me qëllim goditjen apo spastrimin e kundërshtarëve, të konsideruar si të tillë. Fundja nëpër faqet e kësaj dosjeje shumëkush mund të lexojë të vërtetat lakuriq të komunizmit shqiptar. Se me sa sukses i hidheshin popullit për konsum histori fantastike me armiq, puçistë, agjentë, poliagjentë etj., me qëllimin e vetëm që të bënin të shkëlqente mënjanë këtyre, e paprekur në mitin dhe kultin e vet, figura e Enver Hoxhës.
neser do te lexoni
Kush ishin mysafirët e vilës kryeministrore më datat 16 dhe 17 dhjetor ‘81.
Çfarë përmbante mesazhi që i solli Feçor Shehu Mehmetit një ditë para se të vetëvritej.
A ishte e vërtetë që të huajt i kërkonin kryeministrit të vriste patjetër ose Enver Hoxhën ose veten.
Çfarë kujton Fiqirete Shehu nga çastet e fundit së të shoqit