E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtimet e Xhanfize Kekos: Ditët e fundit të ndarjes me Dorin

 

XHANFIZE KEKO

Në gjashtë vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Teodor Keko, po botojmë kujtimet e lëna në dorëshkrim nga nëna e tij, Artistja e Popullit Xhanfize Keko, të shkruara vetëm pak ditë para ikjes së saj nga kjo jetë. Janë kujtime të dhimbshme, të ditëve të fundit me Dorin, me buzëqeshjen e tij, me surprizat... Artisja e njohur rrëfen në këtë dorëshkrim të rrallë të sajin, të shkruar pak kohë para se të ndahej edhe vetë nga jeta mëse një vit më parë, mbajtjen të fshehtë të sëmundjes së Dorit, mënyrën se si silleshin familjarët kundrejt saj, reagimet e miqve të Dorit dhe momentin si e mësoi lajmin e humbjes së të birit nëpërmjet televizionit. Është periudha që nga dita kur familjarët e publicistit, shkrimtarit e poetit mësuan për shëndetin e tij, e deri në ditët pas ndarjes nga jeta. Janë kujtimet e një nëne, të shkruara me shumë kujdes e përzgjedhje. Veç tyre, familjarët e artistëve kanë mundësuar për gazetën “Panorama”, edhe dy fotografi të rralla, njëra që i përket vitit 1958, viti kur ka lindur Teodori dhe tjetra në vitin 2002 ditën e fundit që u nda me të ëmën, para nisjes për në Holandë, në ambientet e Rinasit.

Ishte një mëngjes gushti, kur në shtëpinë ku jetonin prej disa muajsh Iliri dhe Teuta, e cila ishte emëruar me punë në Ambasadën Shqiptare në Budapest, ra zilja e telefonit. Ishte Xhuli. Mbaj mend që folën shumë shkurt me Ilirin. Pastaj, nuk vonoi dhe ai doli për t’u kthyer pas një ore. Më tha se, do nisej për në Tiranë për një punë urgjente dhe pasi bëri gati çantën, u nis... Edhe pse nuk e besova justifikimin e udhëtimit të tij, mendja nuk më shkoi në asnjë rast tek e vërteta e udhëtimit aq urgjent të Ilirit. Gushti i kishte lënë vendin shtatorit kur më thanë se Dori kishte pasur shqetësime nga stomaku dhe kishte shkuar për diagnostikim në Selanik. E besova pasi e dija që vuante prej kohësh nga stomaku dhe se nuk tregonte kujdes për t’u vizituar e kuruar. Pa kaluar shumë ditë, Teutës i erdhi transferimi. Mblodhëm plaçkat dhe u zhvendosëm në Tiranë. E besova pasi më dukej krejt normale kjo gjë, për sa kohë ajo ishte punonjëse e Ministrisë së Jashtme. Shumë kohë më pas mësova se, atë mëngjes gushti, Xhuli kishte marrë në telefon Ilirin e duke qarë i kishte thënë se Dori ishte shumë sëmurë dhe se Solisi kishte vendosur ta niste urgjent për në Selanik...
* * *
Shumë kohë më pas mësova edhe se, transferimi i Teutës kishte ndodhur me kërkesë të saj pas situatës shëndetësore të Dorit dhe detyrimit për të qenë pranë njëri-tjetrit... Kanë qenë sekonda, minuta, orë, ditë, javë e muaj pa fund ato që kam jetuar me shqetësimin e sëmundjes së Dorit dhe ankthin që të krijon enigma rreth të vërtetës. Të gjithë përreth meje bënin rolin e të paditurit. Askush nuk më tregonte gjë. Edhe pse përpiqesha të “vidhja” ndonjë fjalë a shenjë nga Xhuli, Iliri apo Teuta, ishte e kotë. Deri ditën e fundit nuk arrita ta mësoj të vërtetën e sëmundjes së Dorit. E kuptoja që diçka serioze ishte, përderisa ai vazhdonte të shkonte e kurohej në Selanik, përderisa doli fondi i qeverisë për trajtimin e tij shëndetësor, përderisa interesoheshin edhe njerëz që nuk i kisha parë apo dëgjuar prej vitesh. Po, mendja nuk më shkoi në asnjë rast tek ajo sëmundje që do ma merrte Dorin tim në atë moshë.
Kështu erdhi fundviti 2001. Atë natë, Dori me familjen e tij e kaloi në shoqërinë e shokut të tij të vjetër Remzi Lani. Ndërkohë, mëngjesi i ditës së parë të vitit 2002, e gjeti në Durrës në shoqërinë e Përparim Sanxhakut. Dy ditë më pas, u nis për në Hagë të takonte Martinin që studionte atje pasi “e kishte marrë malli”. Dhe që andej, në Selanik për një “kontroll”... Siç do të mësoja shumë kohë më vonë, në Hagë ai shkoi të bisedonte, linte amanetet e ndahej me Martinin përpara se të operohej pas disa ditësh në Selanik.
* * *
Ditët e mëpasme kishin qenë për të shumë të vështira. Për orë të tëra Dori iu nënshtrua një operacioni, i cili ishte përcaktues përsa i përkiste të ardhmes. Rezultati… Nuk e mësova asnjëherë. Gjendjen e vërtetë e dinin vetëm Xhuli, e cila i qëndronte tek koka orë e çast, Iliri e Teuta që u nisën e shkuan në Selanik për ta parë nga afër, Leonard Solis, Frrok Çupi, Ilir Meta, Gramoz Pashko që e ndiqnin situatën në vazhdimësi dhe vetë Dori. Pikërisht në këtë kohë që unë nuk dija ku kisha kokën, më vjen ftesa për të marrë pjesë në festimet e 50-të vjetorit të kinematografisë, që do të zhvilloheshin më 10 korrik 2002, ditën e inaugurimit të Kinostudios “Shqipëria e re”. E detyruar, pa gjendje shpirtërore, shkova... Programi fillonte me vizitën në ambientet e Kinostudios, por unë munda të shkoj, deri tek dera e saj. Nuk më bënë këmbët ta kapërceja atë derë prej nga dola në vitin 1984 dhe nuk hyra më. Më mirë ta ruaja brenda vetes ashtu si e kisha lënë... me njerëz entuziastë, në punë çdo orë të ditës, të bukur si ditën e parë, të pastër veç të tjerave, me aromën karakteristike të filmit, të gjelbëruar në të katër anët... Vendosa të qëndroj në oborr bashkë me disa shoqe deri sa të mblidheshin gjithë të ftuarit për foton e rastit para hyrjes kryesore të saj. Pastaj të gjithë së bashku shkuam drejt godinës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit për të nënshkruar pesëdhjetë vitet e kinematografisë shqiptare. Për minuta të tëra, artistët e ekranit firmosën njëri pas tjetrit, jo pa emocion, jetën e tyre artistike për t’ua lënë trashëgim kineastëve që do të vinë pas nesh. Festa mbaroi dhe, me t’u kthyer në shtëpi, u ritakova me ankthin e sëmundjes së Dorit. Ishin ditët e fundit të qëndrimit të tij në Shqipëri, pasi Xhuli ishte emëruar me punë në Ambasadën Shqiptare në Hagë...
* * *
Atëherë, kaq dija.
Nuk dija se, një vit më parë, me të mësuar situatën shëndetësore, Kryeministri Meta e kishte thirrur Dorin në një nga vajtjet e tij të zakonshme gjatë atyre ditëve në zyrën që kishte në Kryeministri. Njeriu i vetëm që kishte vlerësuar pavarësinë dhe mendimin e Dorit e që kishte menduar e guxuar ta angazhonte atë në punë shtetërore, kur e emëroi këshilltar për kulturën dhe median, këtë radhë nuk e kishte thirrur në zyrë si këshilltar, por si mik. Në bisedë e sipër, ndër të tjera, me shumë dashamirësi ai i kishte thënë se për të qenë nën mbikëqyrjen e mjekëve, kishte menduar ta emëronte në një nga përfaqësitë tona, në New York, Romë, Milano apo diku tjetër, ku të mendonte e ndihej më mirë ai. Dori, i cili nuk mund të jetonte për më shumë se një javë larg njerëzve, që i donte dhe e donin, nuk mund ta pranonte propozimin e tij. Aq më shumë që ai e kishte bërë zgjedhjen në situatën e krijuar. Nuk dija se, një ditë prilli të vitit 2002, i detyruar të mendonte për ta lënë të sistemuar familjen e tij pas operacionit që rezultoi “pa shpresë”, Dori trokiti në derën e ministres së Jashtme në atë kohë, Arta Dade. I kishte qarë hallin dhe në fund i kishte kërkuar që brenda mundësive ta emëronte Xhulin në Hagë, pasi atje kishte dhe njërin nga djemtë. Do të kalonin fare pak ditë dhe, Xhuli u emërua me punë në Ministrinë e Jashtme. Vendimi ishte marrë shpejt, vetëm e vetëm që Dori të ishte nën mbikëqyrjen e mjekëve...
* * *
Më 8 gusht të vitit 2002, e ulur në ndenjësen e pasme të makinës së bashku me Martinin, ndiqja me sy tim bir në vendin e parë, i cili gjithë kohën fliste me celular. Udhëtonim drejt aeroportit të Rinasit. Ashtu e përhumbur, dëgjoja copëra bisedash... “nesër në ora dymbëdhjetë duhet të jesh aty patjetër... pasnesër niset me shërbim jashtë shtetit prandaj çoje djalin sot pasdite... të pret se dje bisedova unë... më fal që nuk munda të të takoj dot... pas një muaji do të vij në Tiranë... do shihemi patjetër sa të vij...”. Tek e dëgjoja, çuditesha ku e gjente tërë atë forcë të merrej me problemet e miqve, ndërsa shkonte të vazhdonte mjekimin. Kur arritëm në aeroport, Dori bashkë me Xhulin dhe fëmijët hynë brenda për të bërë veprimet, ndërsa unë dhe Gëzimi, shoferi që nuk iu nda asnjë çast, sidomos vitin e fundit, qëndruam tek dera jashtë sallës së pritjes. Nuk vonoi dhe ai doli përsëri. Erdhi pranë meje, thirri në emër një të njohurin e tij që e pa me aparat fotografik në krah dhe duke më hedhur dorën në qafë, i tha: “Fatmir, më bëj një fotografi me yllin tim dhe ma dërgo në Holandë se dua ta mbaj në tavolinën e punës”. Djali shkrepi aparatin. Ishte piktori Fatmir Musaj që në atë kohë punonte në Rinas. Kishte ardhur çasti për t’u ndarë. U përshëndeta me Xhulin e fëmijët, putha Dorin dhe u futa me nxitim në makinë nga frika se mos më tradhtonin lotët. Ditët që pasuan, rrodhën normalisht. Të nesërmen e mbërritjes në Holandë ai më dha në telefon numrin e shtëpisë dhe celularit holandez dhe më premtoi se do flisnim vazhdimisht. Bisedonim orë pa orë, ashtu kot, vetëm për t’i dëgjuar zërin njëri-tjetrit. Më 19 gusht linja nuk dëgjohej mirë. Megjithatë, para se ta ndërprisnim bisedën, mbaj mend që Dori më tha se të nesërmen do shkonte në Selanik dhe do të më merrte në telefon aty rreth orës 13.30. Ishte ora kur mbërrinte në Selanik...
* * *
Po prisja të më telefononte. Bëja nëpër shtëpi ndonjë punë sa për të thënë, pasi nuk dija ç’të bëja për të mposhtur padurimin që më kishte pushtuar. Në pritje të ziles së telefonit, një herë më dukej se nuk punonte telefoni e një herë më dukej se nuk e kisha vënë mirë receptorin. Shkoja e kontrolloja dhe pasi sigurohesha se ishin në rregull, u rikthehesha punëve sa për të thënë. Kështu vazhdoi deri sa... Folësja e TV KLAN, e cila po jepte lajmet e orës 15.30, në një moment tha... “Dhe tani një lajm që sapo na mbërriti... Sot, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta në Selanik, shkrimtari Teodor Keko...” Më ra pjata nga dora në lavaman. Duke mos i besuar ato fjalë që dëgjova, hodha sytë tek televizori. Gjithë ekranin e kishte pushtuar fytyra e qeshur e Dorit tim. Mu duk sikur bota u përmbys... Arrita vetëm të thërras Denisën që ishte në dhomën e saj. Mezi u ula në kolltuk. Më iku zëri e më mbytën lotët... Në ato çaste do doja më shumë se kurrë ta kisha pranë Endrin, që të ndaja me të pikëllimin e papërballueshëm. Ishte 20 gusht 2002. Vetëm pas disa minutash shtëpia do të mbushej me njerëz, me shokët e tij dhe të Ilirit që nxituan të merrnin në dorë situatën. Të nesërmen në drekë, mbërriti Xhuli me Martinin e Elion nga Holanda e në darkë edhe Dori nga Selaniku... Një moment, pashë që në dhomë nga shokët e Dorit ishte vetëm Ben Blushi. “Ku janë shokët...”, pyeta veten pa zë, por, duket kisha pyetur me zë pasi në moment më treguan se, Gramoz Pashko, Genc Ruli, Roland Bimo, Eduard Mazi, Filip Rrumbullaku, Remzi Lani, Agim Isaku, Fatmir Minga, Roland Sahatçija, Dritan Kaba dhe të tjerë që s’i kujtoj dot sot, kishin dalë diku jashtë Tiranës për të pritur Dorin.
* * *
Aty afër mesnatës, një pjesë e tyre hynë përsëri në shtëpi. Bashkë me ta hyri edhe Stiliani, i cili kishte ardhur nga Selaniku. E takova dhe e ula pranë pasi doja të më tregonte si ndodhi, ku ndodhi, çfarë tha... Stiliani duket e kuptoi këtë dëshirë timen dhe me një zë të zvargur më tregoi për ditën e fundit të Dorit. “Erdhi dje në drekë nga Haga, filloi të tregojë ai, dhe, tek dilnin nga aeroporti i Selanikut, më tha... sot Stilian të kam ftuar për drekë se ndihem mirë dhe jam i gëzuar që po përfundoj seancat e kimioterapisë. Zgjidhe vetë restorantin se kam vendosur të të jap një drekë që se ke ngrënë ndonjëherë... Me këtë dëshirë shkuam në restorant, por drekën nuk mundëm ta hamë. Në pritje të porosisë, pas disa telefonatave që bëri me Holandën e Shqipërinë, në tavolinë ndodhi më e pabesueshmja. Dori ndjeu shqetësime në zemër. Donte të më thoshte diçka, por nuk arriti. Edhe përpjekjet e mjekëve nuk mundën ta shpëtojnë...”. Pastaj heshti. Ndoshta edhe ai kishte nevojë të kujtonte si ishin takuar e më pas ritakuar me Dorin... Ishin njohur shumë vite më parë kur Dori punonte në gazetën “Drita”. Pastaj e kishin humbur njëri-tjetrin për shumë kohë derisa, në gusht 2001, u ritakuan përsëri. Dori ndodhej në Selanik për ekzaminim mjekësor dhe me ta marrë vesh, nxitoi ta ritakojë mikun e vjetër me shumë mall e dashuri. “Sëmundja është vërtet e keqe, por ka dhe një të mirë se të njeh me shokë e miq të vërtetë...”, i pati thënë ai Stilianit atë ditë në Selanik. Që nga ai moment, ata mbetën miq shumë të afërt për njëri-tjetrin deri ditën e fundit.
* * *
Dori iku nga kjo jetë pa ia plotësuar vetes dëshirën e madhe për të ardhur edhe një herë në Tiranë të takonte miqtë e tij, që nuk iu ndanë për asnjë çast, pa mundur të marrë kompjuterin që të vazhdonte punën me vëllimin e ri me tregime që kishte nisur gjatë atij viti, pa mundur të realizonte tablonë e përbashkët me mikun e tij piktor Fatmir Minga, pa mundur të marrë nga koleksioni i veprave të artit që kishte në shtëpi portretin verdhacuk të piktorit Zihni Veshi e që ishte e vetmja vepër, që e frymëzonte për të shkruar e jetuar. E vetmja gjë që realizoi ishte ikja nga kjo jetë, ashtu siç kishte dashur dhe në një nga vargjet e një prej poezive të tij ku thotë se… “do doja të vdisja si zog në udhëtim…”. Të nesërmen në mëngjes Dorin e sollën në shtëpinë tonë, pasi ai iku nga kjo jetë duke iu lënë si pasuri familjes, përveç emrit të mirë dhe fare pak dorëshkrimeve, edhe… një apartament, një dhomë e një kuzhinë. Pas homazheve në Lidhjen e Shkrimtarëve ku erdhën të gjithë, që nga qytetari i parë i shtetit deri tek njerëzit më të thjeshtë të Tiranës, në ora 12:00 Dori nisi udhëtimin drejt banesës së fundit i përcjellë nga një varg i pafund njerëzish. Nga ato momente të dhimbshme, nuk mbaj mend asgjë. Sytë nuk më fiksonin asnjë njeri e veshët nuk më dëgjonin asnjë fjalë...
* * *
Atë natë, pasi pashë kronikat televizive mbi përcjelljen e tij, kuptova se, Tirana kishte kohë që nuk përcillte me atë pjesëmarrje një qytetar të saj për në banesën e fundit. Po ashtu, kishte kohë që nuk përcillte një njeri për në banesën e fundit me një fjalim jashtë skeme. Për të gjithë ata që arritën ta dëgjonin fjalën e Besnik Mustafajt në ato çaste pasi zëri i mekur nga dhimbja për shokun nuk të lejonte të dëgjoje në largësi, ajo fjalë do të mbahet mënd gjatë, jo vetëm për sinqeritetin dhe të vërtetat, por dhe për mënyrën se si u thanë të vërtetat e njeriut që luftoi deri në fund për të vërtetën.  Tashmë ka pesë vjet që vazhdoj të jetoj me kujtimet e Dorit dhe kujtimet për Dorin... Edhe pse e kam të vështirë të veçoj më të bukurin prej tyre, njëri më duket se pasqyron më mirë botën e madhe dhe dashurinë e tij... Më kishte ndodhur disa herë ta prisja dhe ai të mos vinte, apo të më bënte një telefonatë plot me justifikime dhe të anulonte takimin me mua. Një ditë, pasi u sigurova se Dori ndodhej në shtëpi, vendosa dhe u ngjita në katin e nëntë pa ashensor. Në kulmin e zemërimit, pasi kisha renditur në mendje se çfarë do t’i thosha, hyra në shtëpi duke shfryrë nga mërzia dhe lodhja: - “Po ku je o Dori, se edhe Kryeministrit t’i kisha kërkuar takim, me siguri do të më kishte pritur... Po ti...”. Më ngeli fjala në gojë pasi nga brenda u dëgjua zëri i tij: “Martin, Elio, na erdhi nëna! Shpejt!...”. Në çast, njëri më rrëmbeu çantën, tjetri nxitoi për pantoflat, njëri më kapi për beli, tjetri mu hodh në qafë... U krijua një skenë shumë e bukur, sa dashurie aq edhe komike, një skenë që mua më befasoi e hutoi aq shumë sa, harrova përse kisha shkuar... Tani ishte radha e Dorit: “Ti të mendosh keq për mua, që të dua si shpirtin?!...”. Dhe pasi më mbuloi me të puthura, vazhdoi: “Unë jam i zoti të ta vërtetoj dashurinë me dokument... Hej çuna! Sillni shpejt këtu një stilolaps, atë të madhin që shkruan babi mbi dërrasë!” Pas disa çastesh, Dori shkroi me germa të mëdha duke e mbuluar krejt faqen e murit të kuzhinës: “Mami, të dua shumë! Dori”. Qeshëm të gjithë me shakanë e asaj dite, por dhe me të vërtetën e shpirtit të Dorit... Muri mbeti ashtu, me ato fjalë dashurie, deri sa erdhi radha për t’u lyer. Sa për njerëzit të cilët habiteshin kur i lexonin ato fjalë të shkruara mbi mur, Xhuli i qetësonte duke u thënë se... “Nuk i ka shkruar Martini apo Elio për mua. I ka shkruar Dori pasi vetëm kështu ia shpreh dashurinë nënës së tij...”.
* * *
Për të qenë e sinqertë deri në fund të këtyre kujtimeve, edhe nëse dua unë të shkëputem disa çaste prej tyre, nuk më lënë ato. Mund të duket e çuditshme, po, ato më shoqërojnë në çdo hap që hedh... Ndaloj para vitrinave të librarive dhe më dalin përpara edhe tituj të librave të Dorit. Eci rrugës dhe më dalin përpara kafe “Europa”, restorant “Piazza”, bar “West” ku Dori rrinte me miqtë e tij. Kthej kokën nga rafti i librave dhe më dalin përpara librat e Dorit, që më ka dhuruar me autograf. Pastaj, kur e shoh se nuk shkëputem dot prej tyre, mbledh veten dhe zbres poshtë pallatit ku marr taksinë time të përhershme, e cila e di prej pesë vitesh se ku duhet të më shpjerë. Dhe, ndërsa Xhota më pret aty pranë për të më kthyer përsëri në shtëpi, unë ulem përbri Dorit dhe Endrit e bashkëbisedoj për minuta të tëra me ta, për çdo gjë... E detyroj veten të shkëputem prej tyre vetëm kur kthehen nga puna Iliri e Teuta, pasi nuk dua që ata të përjetojnë gjendjen time shpirtërore, kur më vinë fëmijët nga Spanja e Holanda ku jetojnë prej vitesh, kur takohem me shoqet e mia për të bashkëbiseduar duke pirë një kafe, kur më ftojnë në premiera filmi apo aktivitete të ndryshme... Dhimbjen për humbjen e djalit e kam për vete dhe nuk kam pse ua transmetoj të tjerëve. Njerëzit meritojnë t’iu dhurosh kënaqësi e dashuri... Ky mendim më ka bërë të mos dorëzohem deri më sot para shkaqeve natyrore e fizike. I vetmi rast që u dorëzova ishte ditëlindja e Dorit. Më 2 shtator 2002, dhjetë ditë pas ndarjes me të, Pandi Carapuli vendosi t’ia festonte ditëlindjen me shokët dhe miqtë në kafe “Europa”. E mendova, e mendova... Nuk e përballoja dot. Me dhimbje, vendosa dhe nuk shkova. Atë natë ishin të gjithë. Më pas, kur më treguan, e kuptova që kisha gabuar. Duhej të kisha shkuar për të respektuar të gjithë ata që e respektuan Dorin edhe atë natë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›