E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet realizohen 83%, paratë për Durrës-Kukës

Realizimi i investimeve gjatë këtij gjashtë mujori ka qenë në nivele goxha të mira. 

Fabiola Çela

Si gjithmonë projekti i rrugës Durrës-Kukës ka marrë pjesën më të madhe të parave. Ndërkohë pushteti lokal vazhdon të jetë prapa me mbledhjen e taksave. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti strukturat e pushtetit lokal kanë mundur të realizojnë vetëm 70 për qind të planit.
 Taksa që ka nivelin më të ulët të arkëtimit është tatimi mbi pasurinë. Jo pak herë drejtuesit e Ministrisë së Financave kanë kritikuar pushtetin lokal për nivelin e dobët të mbledhjes së taksave. Por e kundërta ka ndodhur me arkëtimin e taksave të tjera. Gjatë këtyre muajve një rritje goxha të lartë ka pasur tatimi mbi të ardhurat personale. Kjo rritje ka ardhur pas vendosjes së taksës së sheshtë prej 10 për qind për të gjitha kategoritë e pagave.
Investimet
Ndryshe nga të dhënat e muajve të mëparshëm gjatë këtij gjashtëmujori, realizimi i shpenzimeve kapital është në nivele më të larta. Sipas të dhënave nga financat, shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 83.9 për qind. Pra nga 33.3 miliardë lekë që ishin parashikuar të investoheshin, janë shpenzuar 28 miliardë lekë. Nga paratë e buxhetit të shtetit janë shpenzuar 11.3 miliardë lekë, nga ku 1.9 miliardë lekë janë investuar vetëm për rrugën Durrës-Kukës. Ndërsa financimet e huaja janë realizuar në masën 78.9 për qind, ose e thënë në vlerën e shifrave janë shpenzuar 16.7 miliardë lekë, nga 21.1 miliardë lekë që ishin parashikuar të shpenzoheshin. Pjesa më e madhe e parave nga fondi i financimeve të huaja është përdorur për realizimin e projektit Durrës-Kukës, ku janë shpenzuar plot 13.3 miliardë lekë. Realizimi në kohën e përcaktuar të investime infrastrukturore është bërë shpeshherë molla e sherrit mes pozitës dhe opozitës. Vetëm pak ditë më parë deputetë të Partisë Socialistë akuzuan Ministrinë e Transporteve se nuk po përfundon në kohën e duhur projektet për ndërtimin e rrugëve, akuzë e cila u hodh poshtë nga përfaqësues të kësaj ministrie. Pjesa më e madhe e parave të buxhetit të shtetit janë planifikuar që të përdoren për investime dhe kryesisht për ndërtimin e rrugëve të reja. Madje, sipas drejtuesve të qeverisë, paratë që do të merren nga arkëtimi i shitjes së kompanive shtetërore, pjesa më e madhe e tyre do të përdoren për investime.
Kompensimet
Në mars të këtij viti qeveria vendosi që të rrisë çmimin e energjisë elektrike. Por, sipas zyrtarëve të qeverisë, kjo rritje do të shoqërohej me subvencionimin e shtresave në nevojë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, deri në fund të muajit qershor nuk është dhënë asnjë lek për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Aktualisht për familjarët që konsumojnë deri në 300 kwh energji çmimi është 7 lekë, ndërsa për ata që e kalojnë këtë kufi çmimi është 12 lekë. Ndërkohë e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kompensimin për ish të përndjekurit politikë. Deri më tani qeveria nuk ka dhënë asnjë lek për ta. Lidhur me kompensimin e të përndjekurve, zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë deklaruar se janë në pritje të listave nga Ministria e Drejtësisë. Sipas tyre është një çështje që e ka Ministria e Drejtësisë. Kur kjo ministri të paraqesë listat, atëherë ekspertë të Ministrisë së Financave do të nisin të bëjnë pagesat. Por procedurat janë pak të ndërlikuara për llogaritjen e gjithë përfituesve nga kompensimi. Ndërkohë sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, nëse fondi për ish të përndjekurit nuk do të përdoret deri në fund të vitit, atëherë këto para do të shkojnë për sektorë të tjerë të ekonomisë.

Bilanci
Të ardhurat        Plani        Realizimi
(6-mujor)             (6-mujor)         (6-mujor në %)
TOTALI I TE ARDHURAVE   
134,990            130,891        103.13%
të ardhurat nga tatimet dhe doganat
96,093             89,789         107.02%
tatimi mbi vlerën e shtuar
49,745             46,213         107.64%
tatimi mbi fitimin
9,839             7,100         138.58%
akcizat
14,940             16,984         87.97%
tatimi mbi të ardhurat personale
9,996             6,100         163.86%
taksa doganore
4,264             4,332         98.42%
të ardhurat nga pushteti lokal
5,462             7,793         70.09%
totali i shpenzimeve
137,320             148,856         92.25%
shpenzime korrente
107,787             113,618         94.87%
shpenzime kapitale
28,016             33,358         83.99%
financim i brendshëm
11,307             12,202         92.67%
nga i cili rruga Durrës-Kukës
1,979
financim i huaj
16,709             21,156         78.98%
nga i cili rruga Durrës-Kukës
13,397

***(në milionë lekë)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›