E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikëpyetje serioze mbi hetimin e lidhjeve politike në Gërdec

Nga Mero Baze

Fakti që një kompani, e cila ka ortak kryesor Mihal Delijorgjin, është ende e pahetuar dhe e pabllokuar nga prokuroria, ndërsa dosja e Gërdecit ka shkuar në gjykatë, ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë e hetimeve dhe lidhjet politike me këtë tragjedi. Dyshimet e para se organi i hetimit ka toleruar Delijorgjin, u ngritën kur ai u la i lirë dy ditë pas tragjedisë dhe kur kompanitë e tij, “AlbaDemil” apo “Përparimi”, mund të kenë bërë transferta të parave të dyshimta apo fshehje të gjurmëve. Tolerimi që Delijorgjit iu bë në ditët e para të tragjedisë, u pasua me disa veprime sërish shumë toleruese nga organi i hetimit lidhur me personat që ishin të përfshirë në ndërtimin e fabrikës së Gërdecit. Rrahman Selmanllari, një nga njerëzit më të afërt të Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit, është cituar nga media si ndërtues i asaj fabrike, por prokuroria nuk bëri kurrë të ditur zyrtarisht hetimet mbi të dhe nuk e përfshiu atë në listën e dëshmitarëve të akuzës. Po ashtu, prokuroria ka marrë në cilësinë e provës faksin që zyra e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, i ka nisur djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, më 13 mars të vitit 2007, ku e informon për komentet e kësaj ministrie rreth projektvendimit për Gërdecin, që do të miratohej të nesërmen në mbledhje qeverie dhe nuk ka bërë publike, nëse e ka thirrur për ta pyetur Shkëlzen Berishën apo jo.

Fakti që kryeministri Berisha ka ushtruar presion të vazhdueshëm mbi prokurorinë, dhe e ka anatemuar atë, duket se ka krijuar një lloj druajtjeje te drejtuesit e grupit të hetimit për t’i shkuar deri në fund lidhjeve politike të kësaj tragjedie. Fakti që njeriu më i afërt në media i kryeministrit Berisha, që sulmon çdo ditë prokurorinë për llogari të kryeministrit, ka një kompani aktive, ortak me Mihal Delijorgjin, është një fakt i rëndë.

Prokuroria mund të justifikohet duke thënë se QKR nuk ia ka dhënë emrin e kësaj kompanie, por në të gjitha rastet ky është një tregues i cilësisë së dobët të hetimit dhe frikë nga prekja e lidhjeve politike. Këtij fakti i shtohet dhe heshtja e prokurorisë për Shkëlzen Berishën dhe njerëzit e tij të afërt, të përfshirë në këtë projekt.

Tani që dosja e Gërdecit është në gjykatë dhe media zbulon fakte të tilla të reja, shumë lehtë të verifikueshme më parë, tregon se jemi para një rezultati të dyshimtë hetimi dhe një përpjekjeje për t’i qëndruar larg pistës së lidhjeve politike të kryeministrit me këtë tragjedi, çka në të vërtetë është thelbi më kriminal i kësaj tragjedie.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, duhet të japë shpjegime publike për këtë çështje dhe duhet të sigurojë qytetarët shqiptarë se hetimi do të shkojë deri në fund, dhe do të jetë, ashtu siç thuhet, i gjithanshëm dhe i plotë. Nëse kjo tragjedi hetohet jashtë lidhjeve politike, do të thotë se ajo hetohet jashtë pistës së korrupsionit dhe shikohet, ashtu siç e dëshiron qeveria, si një aksident teknologjik, i cili mund të kompensohet me të holla. Në të vërtetë ajo është një tragjedi që zbuloi kapjen e shtetit dhe arrogancën e mafies që ka kapur shtetin. Nëse kjo tragjedi nuk hetohet në gjithë kompleksitetin e lidhjeve politike, që nga njerëzit që lobuan dhe deri te bashkëpunëtorët e grupit që kapi shtetin, atëherë jemi para rrezikut të një hetimi të përciptë, nën diktatin e presionit politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›