Ish-drejtues të policisë organizohen për mbrojtjen e votave të PS në 28 qershor
Ish-drejtuesit e policisë do të angazhohen në procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit për të ruajtur votat e PS. Kryetari i PS, Edi Rama, ka pasur dje një takim me disa prej ish-drejtuesve kryesorë të policisë të shkarkuar nga detyra gjatë qeverisjes së mazhorancës demokrate. Burime pranë takimit thanë se kryetari i PS ka garantuar ish-drejtuesit e policisë se, sapo të vijë PS në pushtet, do të rivendosen në drejtimin e policisë, pasi për ta shteti ka investuar në trajnime të ndryshme, ku janë marrë eksperienca më të mira në këtë drejtim nga vendet perëndimore. Të pranishëm në takimin e djeshëm me kryetarin e PS kanë qenë figura të spikatura në drejtimin e policisë gjatë qeverisjes socialiste, si Arben Cuko, Pjerin Ndreu, Artan Didi, Gëzim Goxhi, Xhevahir Karaj etj. Nga burimet konfirmohet se ish-drejtuesit në fjalë do të drejtojnë të gjithë procesin e ruajtjes së votave në të gjitha qarqet e vendit, të organizuara sipas të njëjtave metoda me procesin e zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit 2007. Më 18 shkurt, grupi i ish-policëve të liruar nga detyra ishte drejtuar nga deputeti Paulin Sterkaj, i cili pak muaj pas zgjedhjeve deklaroi largimin nga Partia Socialiste dhe shkëputjen e lidhjeve me kryetarin socialist, Edi Rama. Në këto zgjedhje burimet thonë se do të jetë Pjerin Ndreu ai që do të drejtojë operacionin e ruajtjes së votave të PS në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ndreu afrohet pranë PS pas një bashkëpunimi me LSI dhe ky fakt ka shkaktuar reagimin e disa ish-drejtuesve të policisë, të cilët janë investuar pranë PS që prej momentit të lirimit të tyre nga detyra. Ndërsa Ndreu është parë si një figurë që ka dëmtuar dhe jo ndihmuar PS gjatë kësaj kohe të qëndrimit në opozitë. Gjatë takimit të djeshëm mësohet se Rama i ka porositur ish-drejtuesit e policisë që të jenë të kujdesshëm për të shmangur çdo pozicionim të tyre publik në politikë.