E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në Bruksel flamuri ynë ngrihet përkrah atyre të vendeve të NATO-s

Nga km.gov.al

Kryeministri Berisha u nis dje në drekë për në Bruksel për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në selinë e NATO-s për ngritjen e flamurit kombëtar të Shqipërisë dhe Kroacisë, si dy anëtarët më të rinj të Aleancës, përkrah flamujve të 26 vendeve anëtare të NATO-s.

Në këtë ceremoni, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, do të jenë të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë, të kryesuar nga kryeministri Berisha dhe kryeministri kroat, Sanader, në përbërjen e të cilëve do të jenë edhe ministrat respektivë të Punëve të Jashtme dhe ambasadorët e të dy vendeve në NATO.

Banda ceremoniale e NATO-s do të luajë fillimisht himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe himnin e NATO-s.

Këtë ceremoni do ta përshëndesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer dhe më pas do të mbajnë fjalët e tyre të rastit kryeministri Berisha dhe kryeministri i Kroacisë, Sanader.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›