E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Albpetrol", sot gara. Në tender 19 kompani

TIRANE - Sot në mesditë nis tenderi për shitjen e "Albetrolit", në një kohë kur kompanisë vetëm një ditë më parë ju dhanë dy licenca për transportimin dhe shpërndarjen e gazit. Sipas "Reuters", dy licencat me kohëzgjatje 30-vjeçare ju dhanë me qëllim rritjen e vlerës së kompanisë "teksa qeveria përgatitet të shesë 100 % të aksioneve tek një investitor strategjik i naftës e gazit". "Reuters" shton më tej se Shqipëria nuk zotëron një rrjet për shpërndarjen e gazit, por së fundmi po përpiqet të lidhet me projektet e gazsjellësve me qëllim diversifikimit e burimeve të energjisë si dhe lehtësimin e presionit ndaj sistemit të vet hidroenergjetik. Paketa e aksioneve të "Albpetrolit" përfshin të gjitha asetet e ndërmarrjes, lejet dhe licencat për shfrytëzim dhe kërkim deri në një periudhë 25-vjeçare, ku përfshihet edhe ajo për transmetimin e gazit dhe shpërndarjes së tij që do të mundësohet nga ndërtimi i gazsjellësit TAP, si edhe të drejtën e blerjes së emrit për të konkurruar në treg. Burime brenda Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kanë sqaruar se, interesi në rritje nga kompanitë vjen për shkak se, pjesë e paketës është bërë edhe një licencë prodhimi energjie që do të mundësojë shfrytëzimin e gazit natyror dhe nënprodukteve të tjera të naftës për prodhimin e saj.
Tenderi
Interesi në rritje nga kompanitë private detyruan ministrinë të shtyjë afatin e mbledhjes së ofertave nga data 26 Korrik në datë 7 Shtator. Gara për blerjen e kompanisë shtetërore "Albpetrol" është ashpërsuar me shtimin e kompanive të interesuara. Numri i kompanive që do të garojnë për tenderin e "Albpetrol" deri tani ka arritur në 19. Burime nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës njoftojnë se qeveria pret të përfitojë të ardhura të konsiderueshme nga privatizimi i 100 % të aksioneve të ndërmarrjes "Albpetrol" dhe gara pritet të jetë e fortë. Interes për paraqitje oferte kanë shprehur kompanitë "Gazprom", "Apic Petroleum", "Silkroadequity", "Çalik Energy', "Tiway Oil", "TripleFiveInternational", "Petromanas", "Bankers Petrolium", "GPRO Group", "Yildizlar", "BrackKappaAlbania", "ZG Projekt", "Sahara India Pariwar", "Kurum", "Ecolog International", "Israeli Investment Group", "Transoil Group", "Thompson Global" dhe "Bright Oil Petroleum". Privatizimi i kompanisë publike të naftës "Albpetrol" u tentua para vitit 2005, por rezultoi pa sukses. Ligji për privatizimin e "Albpetrol"-it u miratua në Kuvend më 15 dhjetor 2011, i bazuar në ligjin "Për privatizimin e sektorëve strategjikë" të 1998-ës. Sipas studimeve gjeologjike, Shqipëria ka rezerva mbajtëse të naftës në nëntokë në 480 milionë tonë që kërkojnë investime për t'u bërë të shfrytëzueshme. Deri sot, vendi ka 30 milionë ton rezerva të nxjerrshme nafte.
 
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›