Albpetroli, METE ndryshon skemën nga privatizim në koncesion
Kompania “Albpetrol” mund të jepet me koncesion. Fakti u mësua gjatë analizës vjetore tekniko-ekonomike financiare të kompanisë, që u zhvillua javën e kaluar, ku të pranishëm ishin drejtues të lartë të ministrisë dhe “Albpetrol”. Njëri nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të “Albpetrol”-it, pasi u ndal te strategjia e privatizimit, tha se duhet parë ideja që kompania të kthehet në shoqëri koncesionare dhe me kapital të përbashkët. Këtë mundësi të dytë privatizimi përfaqësuesi i këshillit mbikëqyrës e hodhi për diskutim te drejtuesit e departamenteve kryesore të “Albpetrol”-it dhe përfaqësuesve të lartë të ministrisë. Qëllimi i implementimit të kësaj skeme privatizimi është bërë për arsye që një pjesë e mirë e industrisë së naftës të kontrollohet nga shqiptarët. Vërejtje të tjera këshilli mbikëqyrës ka pasur lidhur me marrëdhëniet e “Albpetrol”-it me kompaninë private “ARMO”. Gjatë analizës u tha se duhen rishikuar kontratat me “ARMO”-n dhe t’u jepet mundësia kompanive të tjera për përpunimin e naftës. Treguesit tekniko-ekonomikë të vitit 2009 paraqesin një nivel investimi 67.1 për qind, si pasojë e mungesës së likuiditetit shtet me shtet dhe shtet me privat. Me nisjen e implementimit të strategjisë së privatizimit pritet që mbi 1000 naftëtarë të lënë vendin e punës. Aktualisht kompania ka 4369 puse, nga të cilët 2114 puse janë në punë, 1539 janë të fondit të ndalur dhe 716 mbahen nën vëzhgim. Kompania operon në 8 rrethe dhe asetet e saj llogariten në miliona dollarë.
Energjia, Italia parashikon që në 5 vite të importojë nga Shqipëria 3 miliardë kW/h
Strategjia e Shqipërisë për ta fokusuar ekonominë te sektori i energjisë, veçse një zgjedhje e brendshme, duket e lidhur ngushtë edhe me konjukturat politike në rajon. Në prill të vitit të kaluar, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës vendosën që brenda vitit 2020, më shumë se 20% e energjisë që konsumohet në BE të prodhohet nga burime të rinovueshme, të cilat nuk shkaktojnë ndotje mjedisore, duke vënë dhe kuotat përkatëse për secilin vend. Por nëse disa vende anëtare janë në rrugë të mbarë për ta përmbushur këtë detyrim, disa të tjera, një prej të cilëve edhe Italia, janë vënë në vështirësi. Në pamundësi për ta përmbushur objektivin, me energjinë që prodhon në vend, Italia i ka kthyer sytë nga vendet fqinje, pasi KE-ja lejon edhe plotësimin e kuotave përmes importit. Në një dokument zyrtar që i ka dërguar BE-së, pak ditë më parë, qeveria italiane zbulon fakte të reja mbi programet energjetike në Shqipëri, në vitet në vijim. Sipas dokumentit, Italia parashikon që brenda 5 viteve të ardhshme të importojë nga Shqipëria 3 miliardë kW/h energji në vit, të prodhuar nga burimet e rinovueshme.
Bullgaria mund të hyjë në krizë të re ekonomike
Ekonominë bullgare deri tani nuk e presin lëkundje të mëdha meqë vendi është në një bord monetar i cili e mban të stabilizuar kursin e levës, thuhet në analizën. Deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të jetë midis 6.8 për qind të bruto-prodhimit vendor (BPV) deri në fund të vitit 2011. Inflacioni pritet të ngjitet në 2,2 për qind në vitin 2010 dhe 2,5 për qind në vitin 2011, ndërsa rritja ekonomike e vendit për sivjet, pritet të jetë 0,6 për qind.
Para krizës ekonomike botërore, Bullgaria ishte një ndër vendet e BE-së me nivelin më të lartë të inflacionit.
Kina hedh poshtë kërkesat për rivlerësimin e Yuan-it
Kryeministri kinez Wen Jiabao ka hedhur poshtë kërkesat ndërkombëtare për rivlerësimin e monedhës vendase, juan (Yuan). Republika Popullore nuk pranon asnjë lloj fajësimi apo ushtrimi presioni, tha Wen para gazetarëve në Pekin. "Juan-i nuk është zhvleftësuar. Një shembull: Importi i prodhimeve gjermane në Kinë ka arritur në vitin 2009 në 76 miliardë dollarë, ky është një rekord historik",- tha Wen. SHBA dhe BE akuzojnë Kinën se mban artificialisht të ulët kursin e juanit në krahasim me dollarin për të nxjerrë përfitime nga eksportet.
16 Mars 2010