E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia 300 milionë euro, Financat ua besojnë britanikëve administrimin



Ervin KOÇI

Borxhi 300 milionë euro që do të merret në maj të këtij viti do të menaxhohet nga një kompani londineze, falë marrëveshjes së lidhur me Ministrinë e Financave. “Ëhite&Case” është gjiganti britanik me histori 100-vjeçare në tregun e konsulencës ligjore dhe financës, me degë në 35 vende, mes tyre edhe në Angli. Pikërisht ky filial ka fituar të drejtën e konsulencës për emetimin e eurobondit me vlerë deri në 350 milionë euro, tenderi i së cilës u zhvillua në javën e fundit të muajit shkurt, por që Ministria e Financave e publikoi këto ditë. Për këtë shërbim, shoqëria do të paguhet me rreth 135 mijë dollarë, nga 170 mijë që ishte vlera fillestare në tender, ndërsa kualifikimi i britanikëve të “White&Case” erdhi pas fazës së dytë. MF-ja ka mandatuar dy banka që do të udhëheqin eurobondin e parë shqiptar. Ato janë amerikanët e “JP Morgan” dhe gjermanët e “Deutsche Bank”, kompanitë lider në tregjet financiare. Pas një procesi vlerësimi që kaloi në dy faza nga 15 banka pretendente, u përzgjodhën këto dy banka për emetimin e eurobondit në tregun ndërkombëtar të kapitaleve. Ministria gjithashtu i ka kërkuar “Rafeissen Bank” të mbështes transaksionin, në rolin e mbështetësit (Co-Lead Manager).

Interesimi
Ministria e Financave ka sqaruar se interesimi i institucioneve ndërkombëtare për këtë proces ka qenë i jashtëzakonshëm. Një numër befasues bankash (15 të tilla) me shumë reputacion në tregjet e kapitaleve, paraqitën ofertat e tyre shumë agresive për të udhëhequr transaksionin. Në fazën e dytë kaluan 6 banka (“JP Morgan”, “Deutsche”, “Raiffeisen”, “HSBC”, “BNP Paribas” dhe “Credit Suisse”), të cilat konkurruan me njëra-tjetrën përmes një testimi të zhvilluar në MF-ë. Duke qene se kriza financiare ndërkombëtare ka shtrënguar kushtet për financime, MF-ja ka hartuar një strategji të re afatmesme për administrimin e borxhit të jashtëm dhe të brendshëm shtetëror në kushtet e zhvillimeve të reja. Sstrategjia e re 2009-2011 e cila merr në konsideratë kostot e reja të shlyerjes së borxhit që vjen nga ndryshimi i normave të interesit dhe ndryshimet në kursin e këmbimit. Në strategjinë 2008-2010 ishte parashikuar prezenca në tregun ndërkombëtar nëpërmjet një instrumenti internacional, bond i cili do të emetohej gjatë vitit 2009. Por, si rezultat i ndryshimeve rrënjësore në ekonominë botërore për efekt të krizës financiare në fund të vitit 2008, propozimi për eurobonin u rishikua dhe u vendos që të pritet derisa situata të qetësohet.

Interesat bankare
Edhe këtë vit investitorët do të vazhdojnë të jenë të tërhequr dhe në vlerësimin e riskut do të vazhdojnë të ofrojnë një interes të lartë. Qeveria shqiptare do të financojë shumicën e deficitit buxhetor me borxh në tregun ndërkombëtar. Ministri i Financave Ridvan Bode është shprehur se, "shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë". Ministri shtoi se, për të dalë nga kjo situatë qeveria do të zbatojë një strategji të re duke kërkuar ndihmën e institucioneve ndërkombëtare për financimin e projekteve të mëdha publike.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›