E Diel, 1 Nëntor 2026

KNI: Miraton 9 kapituj të pyetësorit të KE-së, mbeten 30 të tillë



Komiteti Ndërministror i Integrimit, nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, miratoi dje në mbledhjen e radhës edhe 9 kapituj të tjerë të Pyetësorit të Komisionit Europian, duke e çuar kështu në 30 numrin e kapitujve të miratuar deri tani. Kryeministri Sali Berisha, duke u ndalur në punën e deritanishme në hartimin e përgjigjeve për Pyetësorin e KE-së, tha se këto 9 kapituj së bashku përbëjnë 29 për qind të të gjitha pyetjeve, përkatësisht përgjigjeve, të këtij pyetësori, apo 667 përgjigje. Këto përgjigje kanë qenë të shpërndara në 56 institucione të vendit dhe për to janë angazhuar mbi 350 punonjës, drejtues të të gjitha niveleve në hartimin e tyre. Kryeministri theksoi se me miratimin e këtyre kapitujve, Komiteti Ndërministror për Integrimin Europian shqyrton 30 kapituj të Pyetësorit, të cilët përmbajnë në total 1669 përgjigje, ose 73 për qind të të gjitha përgjigjeve qe Shqipëria detyrohet. Më tej, kryeministri vuri në dukje se 8 nga këta kapituj janë koordinuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, duke pasur kështu më shumë kapituj se çdo ministri tjetër. Kjo ministri ka pasur një fokusim më të madh dhe pyetjet më të shumta kanë qenë të adresuara në fushat që mbulon kjo ministri. Kryeministri përgëzoi punonjësit e kësaj ministrie dhe agjencitë e saj për punën që kanë përballuar. Ndërsa një kapitull, tha Berisha, është koordinuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Duke u ndalur në kapitullin e parë të miratuar në mbledhjen e sotme, Lëvizja e lirë e Mallrave, kryeministri u shpreh se ky kapitull është koordinuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dhe përmban 53 pyetje. Ai trajton çështje që kanë të bëjnë me parimet themelore mbi të cilat është ngritur vetë Bashkimi Europian, lirinë e lëvizjes së mallrave.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›