NATO-ja bllokon ligjin për SHISH-in, Komisioni i Sigurisë zhvlerëson kritikat e SHBA-ve
NATO-ja ka reaguar dje përmes një letre dërguar qeverisë shqiptare për projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi NOS, përmes një letre që i ka dërguar dje qeverisë shqiptare, kërkon që drafti i ri për SHISH-in të kalojë më parë nga kjo zyrë, që përbëhet nga tri degë: Orientimet e Përgjithshme, Inteligjenca për Sigurinë dhe Siguria e Mbrojtjes. Kërkesa për një shqyrtim të projektligjit nga ekspertë ndërkombëtarë u formulua fillimisht nga ambasadori Withers pak ditë më parë. Ai tha se projekti, ashtu siç është miratuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, bie ndesh me standardet e NATO-s dhe po e çon Shqipërinë në rrugë të gabuar. Kundër këtij drafti është shprehur edhe Edi Rama, i cili tha se Partia Socialiste nuk do të lejojë miratimin e ligjit nga Parlamenti. Duke iu përgjigjur në dukje Edi Ramës, zëdhënësja e Partisë Demokratike, pak ditë më parë, iu përgjigj në mënyrë indirekte edhe ambasadorit Withers kur tha se ligji është konform standardeve të NATO-s. Por pikërisht dje kur ky draft ka marrë në parim votat e demokratëve në Komisionin e Sigurisë Kombëtare që ka zhvlerësuar kritikat e ambasadorit Withers, ka mbërritur në qeveri letra nga NATO-ja që kërkon pezullimin e këtij drafti deri në dhënien e ekspertizës nga NATO.
16 Mars 2010