E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Bashkëpunimi me rajonin përshpejton integrimin në BE”



Pavarësisht qëndrimeve të kundërta që ka Shqipëria me Serbinë rreth pavarësisë së Kosovës, dy vendet pranojnë që e ardhmja e tyre është bashkëpunimi për të aderuar në Bashkimin Europian. Ky ka qenë komenti i zv.kryeministrit, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp dje. Kreu i Diplomacisë theksoi se Shqipëria është e vendosur të vazhdojë politikën e saj tepër konstruktive për bashkëpunimin rajonal, në dobi të paqes dhe të stabilitetit në rajonin. Ndërsa komentin e deputetit socialist, Pandeli Majko, se vizita e kreut të Diplomacisë nuk ishte në momentin e duhur, Meta e ka injoruar duke thënë se mund të flasë vetëm me ata njerëz që e njohin politikën e jashtme dhe që i kanë konceptet e saj. Në këtë kontekst, Meta ka ritheksuar se Kosova nuk është një çështje bilaterale mes Serbisë dhe Shqipërisë, sepse asnjëherë nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë. Ai tha se shkëmbime vizitash me shtetin serb do të ketë në vazhdimësi, në nivelet më të larta, dhe natyrisht që presidenti Boris Tadiç është i mirëpritur të vizitojë Shqipërinë.
Deklarata
Kreu i Diplomacisë shqiptare ka vlerësuar se vizita e tij në Preshevë dhe Bujanovc ishte shumë e rëndësishme. Kjo vizitë është e para e vizitë e një përfaqësuesi të lartë të qeverisë shqiptare. Sipas tij, kjo vizitë dhe angazhimi i përbashkët i qeverisë së Shqipërisë me qeverinë e Serbisë dhe me autoritetet shqiptare të pushtetit vendor do të krijojë një frymë tjetër të perspektivës më të mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe do të bëjë që kjo luginë të jetë burim stabiliteti dhe prosperiteti për qytetarët shqiptarë dhe për komunitetin që jeton atje, por edhe për rajonin tonë. “Mendoj se vizita në Preshevë ishte shumë e rëndësishme për vetë historinë e hidhur që ka pasur komuniteti shqiptar që ka jetuar atje, i cili ka qenë më jetim se gjithë komunitetet e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe, së dyti, ju e dini që fenomeni i braktisjes së Preshevës ka qenë një fenomen i vazhdueshëm për shkak të kushteve tepër të vështira dhe të diskriminimit për arsye etnike. Problemet ekonomike dhe sociale edhe sot aty janë të mëdha. Ju e dini që fenomeni i largimeve ka vazhduar dhe kohët e fundit, pas liberalizimit të vizave të Serbisë me Bashkimin Europian”, - u shpreh Meta. Kreu i Diplomacisë theksoi se rruga e bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të shkuar drejt integrimit europian. “Unë besoj se e vetmja rrugë që kemi përpara është rruga e bashkëpunimit, e vetmja filozofi që duhet të aplikojmë në raport me të gjitha vendet e rajonit është ajo e hapjes dhe integrimit, ndërsa për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve, natyrisht që ato do të kenë vështirësitë e tyre, por absolutisht që do të ecin përpara, sepse të dyja vendet kanë një perspektivë të përbashkët, që është perspektiva europiane”, - tha Meta.
Minoriteti
Ministri Meta theksoi se qeveria shqiptare është treguar e hapur për të realizuar regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari shqiptar që jeton në Shqipëri që të shprehë edhe përkatësinë e tij etnike. “Kjo është një gjë që është bërë shumë e qartë, sepse në të kaluarën kemi pasur një pakicë që është quajtur jugosllave, më pas është quajtur pakicë serbo-malazeze dhe më pas malazeze”, - u shpreh Meta, duke nënvizuar se “nuk është e drejta ime dhe e askujt që të përcaktojë identitetin kombëtar të çdo lloj pakice. Kjo do të bëhet përmes regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë. Ne jemi të hapur në këtë drejtim dhe nuk mendoj se ky standard që Shqipëria ka vendosur, që është detyrim i stadit në të cilin ndodhet vendi ynë, të përbëjë ndonjë problem apo ndonjë shqetësim për cilindo”.

Berisha: “Rrugët dhe uji i pijshëm, dy përparësitë më madhore të vendit”

Kreu i Ekzekutivit, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deklaroi se qeveria shqiptare ka përcaktuar nuk do të preken investimet në infrastrukturë, rrogat dhe pensionet do të rriten, siç kanë qenë të parashikuara. Sipas Berishës, rrugët dhe uji i pijshëm janë dy përparësitë infrastrukturore më madhore të vendit. Kryeministri Berisha u shpreh se së shpejti do t’u paraqesë qytetarëve të Beratit projektin për Boshtin e Jugut, një projekt tashmë i përfunduar, projekt që e shkurton vetëm në 42 kilometra distancën Memaliaj – Berat. Ai tha se në Elbasan projekti i autostradës Tiranë - Elbasan, apo segmenti i parë i Boshtit të Jugut është duke përfunduar. “Problemet kanë dalë në Qafë të Murrizit, me tunelin, sepse struktura gjeologjike e kuotës në të cilën ishte parashikuar tuneli, është jashtëzakonisht problematike dhe e bën, sipas ekspertizës së vendit dhe ndërkombëtare, të papërshtatshme për të nisur shpimin. Atëherë po kalohet në një nivel pak më të lartë, rreth 110 metra më lart, por kjo kërkon një vlerësim tërësor të strukturës gjeologjike, të ujërave, të përbërjes”, - tha Berisha. Kryeministri theksoi se tuneli i Rrugës së Arbrit, sapo të përfundojë, do të tenderohet i tërë segmenti me 31 kilometra, që është nga Ura e Vashës në Klos, gjer në Tiranë. Sipas tij, Drejtoria e Rrugëve dhe Ministria e Punëve Publike, bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po shqyrtojnë mundësinë e teknologjive të reja të përdorura për rrugë ndërfshatse, ose brenda fshatit. Më tej Berisha theksoi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të kenë ujë 24 orë. Sipas tij, Banka Botërore ka marrë përsipër një shqyrtim tërësor nga studimi i projektit deri te financimi i sistemeve dhe i menaxhimit të ujërave në pellgun Tiranë-Durrës, që përbën dhe përqendrimin më të madh të popullatës dhe problemin më madhor për furnizimin me ujë, por edhe menaxhimin në tërësi të ujërave të këtij pellgu. Gjithashtu, Banka ka paraqitur një vullnet shumë të qartë për të ndihmuar Shqipërinë në zgjidhjen e këtyre problemeve, në zonën më sensitive të vendit, që është zona Tiranë-Durrës.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›