Komisioni i Sigurisë nuk i merr në konsideratë kritikat e SHBA-ve për ligjin e SHISH-it
Eljona Ballhysa
Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka marrë dje në shqyrtim projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, duke mos pranuar shtyrjen e diskutimit mbi bazën e kërkesës së ambasadorit të SHBA-ve, John Withers. Gjatë mbledhjes së djeshme, që u zhvillua me dyer të mbyllura, të pranishëm në Komision kanë qenë drejtori i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, që është edhe bashkëhartues i këtij drafti, si dhe drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri. Burimet nga ky komision kanë bërë të ditur se gjatë mbledhjes së djeshme nuk është diskutuar për asnjë moment për kritikat e ambasadorit amerikan, apo për kërkesën e tij për të shtyrë diskutimin e draftit dhe për të pranuar ekspertizën amerikane për hartimin e një projektligji të bazuar në Kushtetutë dhe të pranuar nga ndërkombëtarët. Burimet kanë bërë të ditur se gjatë mbledhjes së djeshme anëtarët e Komisionit kanë dëgjuar referimet e drejtorit të kabinetit të kryeministrit, Bylykbashi, si dhe referimin e drejtorit të SHISH-it, Shaqiri. Mësohet se ky i fundit ka bërë kërkesë për ndryshimin e pikës “h” të nenit 3 të draftit të kryeministrit. Sipas burimeve, Shaqiri nuk pranon paragrafin që kërkon që SHISH-i të marrë më parë pëlqimin e kryeministrit në rast se do të bashkëpunojë me shërbimet informative të vendeve të tjera. Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të vazhdojë diskutimin për çdo nen të këtij projekti gjatë mbledhjes së sotme, ku pritet të bëhen ndryshime në draft në përputhje me kërkesat e SHISH-it.
Kundërshtimi
Në pikën “h” të nenit 2 të projektit shkruhet se “SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Pikërisht ky paragraf është kundërshtuar në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese nga drejtori i Përgjithshëm i SHISH-it. Mësohet se ai është shprehur se ky paragraf cenon kompetencat e institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Por duket se ky paragraf është kundërshtuar edhe nga ndërkombëtarët. Vetëm pak ditë më parë, ambasadori amerikan, John Withers, u shpreh kundër projektligjit të qeverisë, duke e konsideruar atë të papranueshëm. Ambasadori Withers tha se ligji i ri cenon pavarësinë e SHISH-it, e fut atë nën kontroll politik dhe dëmton imazhin e Shqipërisë. Ai kërkoi shtyrjen e votimit të këtij ligji dhe pranimin e ekspertizës së huaj. “Është jetike për SHISH-in të jetë profesional, i pavarur dhe i lirë nga ndërhyrjet politike. Ne jemi të shqetësuar që ky projektligj i minon këto parime. Për më tepër, ky draft i jep SHISH-it përgjegjësi të tjera brenda vendit, që janë shqetësuese”, - u shpreh Withers. Ambasadori theksoi se Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj, por SHBA-të druajnë se projekti në formën aktuale po e dëmton këtë imazh. “Ne kërkojmë që ekspertë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë rishikimin e gjithanshëm të plotë të draftit përpara se Parlamenti të ndërmarrë veprime të tjera. Kjo nuk është një çështje vetëm e brendshme e Shqipërisë, por si anëtare e NATO-s, kjo është një çështje me interes ndërkombëtar. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se tani, stabiliteti në Shërbimin Informativ është shumë i rëndësishëm”, - theksoi Withers, pak ditë më parë.
Reagimi
Nuk ka munguar përgjigjja nga selia blu. Deputeti demokrat në Komisionin e Ligjeve, Eduart Halimi, deklaroi pak ditë më parë në një intervistë televizive se drafti nuk ka asnjë amendament antikushtetues. “SHISH-i ka qenë dhe vazhdon të jetë një institucion në varësi të kryeministrit. Nuk ka qenë sot, është që në momentin kur është krijuar. Drejtori i SHISH-it emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, dhe ky është një fakt që në të vërtetë nuk është ndryshuar. Po ashtu dhe raportimi, ashtu siç dhe vetë e kërkoi drejtori i SHISH-it, do të rregullohej me të njëjtin vendim qeverie që ka funksionuar nga viti 1999 dhe në vijim dhe nuk ka ndonjë shkelje të ndonjë parimi. Nuk di cili është detaji që e ka shqetësuar ambasadorin amerikan; sigurisht ato janë amendamente që nuk kanë kaluar në seancë plenare. Mund të paraqiten në komisionin përkatës”, - tha Halimi. Ai pretendoi më tej se hartimi i këtij projektligj është bërë në bashkëpunim me ekspertët e SHISH-it. Ndërsa shtoi se edhe vetë kreu i këtij institucioni, Bahri Shaqiri, nuk ka kundërshtuar asnjë prej amendamenteve gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve.
Ndryshimet që u miratuan në Komisionin e Ligjeve, SHISH-i kalon në varësinë e Ekzekutivit
Pavarësisht ndryshimeve që iu bënë këtij projekti në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, gjithsesi, ky draft u cilësua i papranueshëm nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht nga ambasadori amerikan. Në Komisionin e Ligjeve u miratua që “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të sigurojë informacionin e domosdoshëm, nga jashtë dhe brenda vendit, për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar”. Ky institucion mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar. Më tej në draft parashikohet që SHISH-i mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues; mbledh informacion për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë; mbledh informacion për prodhimin, trafikimin e armëve, e lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe krimeve kundër mjedisit; mbledh informacion që i shërben zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar. Por, pika që është kundërshtuar më shumë është ajo që “SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Duket se ky paragraf shqetëson jo vetëm drejtuesit e këtij institucioni, por edhe ndërkombëtarët, që e cilësojnë këtë një ndërhyrje të Ekzekutivit në punën e Shërbimit Informativ Shtetëror. Më tej në draftin e qeverisë parashikohet që “drejtori i SHISH-it i paraqet kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH-it. Me kërkesë të kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave”. Edhe ky paragraf nuk shikohet me sy të mirë nga ndërkombëtarët. Me propozim të drejtorit të SHISH-it, Komisioni i Ligjeve shtoi në draftin e qeverisë një tjetër paragraf mbi bazën e të cilit
“punonjësit e SHISH-it, për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar, kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore, qendrore ose lokale dhe nga personat fizikë e juridikë, përfshirë dhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridikë dhe fizikë, përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga drejtori i SHISH-it. Në këto raste punonjësit e SHISH-it duhet të identifikohen duke paraqitur dokumentin zyrtar të identifikimit dhe autorizimin përkatës”.
16 Mars 2010