E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet gazetarja, mashtroi tre persona për viza italiane

Arlinda Baroti është dënuar me 3 vite burg nga Gjykata e Durrësit

DURRËS – Mashtronte njerëzit duke u marrë nga 2000 euro se do t’i nxirrte viza italiane, bie në pranga gazetarja e Durrësit, Arlinda Baroti. Baroti, me profesion gazetare për një gazetë lokale të qytetit bregdetar, është prangosur ditën e djeshme nga policia pasi mbi të rëndon një vendim gjykate, i cili e dënon me 3 vite burg për “mashtrim”.

Skema e mashtrimit
Gazetarja dhe përkthyesja Arlinda Baroti, sipas vendimit të gjykatës, ka mashtruar së paku tre persona duke u marrë nga 2000-2500 euro, me premtimin se do t’u siguronte viza për në Itali. Pasi kaluan disa kohë, personat në fjalë i kanë kërkuar vizat ose t’i ktheheshin pas paratë e dhëna, por Baroti nuk ua ka kthyer më ato. Në këto kushte personat e mashtruar i janë drejtuar policisë për të kallëzuar mashtrimin që u ishte bërë nga gazetarja.
Bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Durrës rezulton se gazetarja Arlinda Baroti ka mashtruar tre shtetas, të cilëve u ka premtuar se do t’u siguronte viza italiane me qëllim dërgimin në Itali te të afërmit e tyre. Këtyre tre qytetarëve u kishte premtuar se do t’i pajiste me viza në dy raste nuset e djemve të dy prej tyre dhe në rastin e tretë, mbesën e personit që s’merrte dot vizë direkt në ambasadë. Sikundër kanë pohuar këta qytetarë, donin që nuset e djemve dhe mbesa të shkonin pranë familjeve të tyre në Itali. Ajo u kishte marrë që të treve nga 2000 deri në 2500 euro, por nuk ua ka siguruar vizat dhe as ua ka kthyer më shumat e përfituara prej tyre.

Arrestimi
Arlinda Baroti ishte shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit që më 26 janar të këtij viti, pas vendimit të Gjykatës së këtij qyteti, vendim i cili e shpallte fajtore gazetaren për veprën penale të mashtrimit. “Arlinda Baroti, 38 vjeçe, lindur e banuese në Lagjen Nr. 13 Durrës, me arsim të lartë, me profesion gazetare dhe përkthyese, e divorcuar, me një fëmijë, e padënuar më parë, u ndalua për arsye se Prokuroria e Rrethit Durrës ka nxjerrë urdhrin e datës 25 janar 2010 për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Durrës të datës 10 dhjetor 2008 në bazë të të cilit ajo është dënuar me 3 vjet burg për veprën penale të mashtrimit të kryer më shumë se një herë”, - bën të ditur Policia e këtij qyteti. Ndërkohë që materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›