E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja dhe pjekja e terroristit

“Të Rritesh si Bin Laden” quhet libri i shkrimtares amerikane Jean Sasson. Libri, i cili merret me jetën e terroristit më të njohur të shekullit 21, është shkruar në bazë të dëshmive shokuese të ish-bashkëshortes, Najwa dhe të të birit, Omar Bin Laden, të udhëheqësit saudit të rrjetit terrorist Al-Qaeda. Nga Express më 22 shtator 2011 në ora 14:32

Sulmi mbi Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, më 11 shtator të vitit 2001, faktikisht përfaqëson momentin kur edhe filloi shekulli 21. Nëse shekulli paraprak ishte shënuar me shumë luftëra të mëdha, dy prej të cilave e merituan epitetin e luftërave botërore, në këtë shekull duket se burimi kryesor i vdekjeve dhe i jostabilitetit do të jetë terrorizmi.

Në këtë kontekst, shpesh nënvizohet fakti se këtu bëhet fjalë vetëm për terrorizmin islamik,megjithëse 10 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kanë treguar se edhe disa shtete të fuqishme dinë të lëshohen në aktivitete të ndryshme terroriste, të cilat pastaj i mbulojnë me tregime për luftëra për liri dhe për demokraci.

Osama bin Laden gjithsesi që është personi kryesor i Al-Qaeda’s, gjegjësisht ideatori dhe koordinatori i sulmeve në New York, por edhe fytyra më e njohur e terrorizmit islamik. Andaj edhe nuk habit fakti se për të janë shkruar shumë libra, në të cilat janë analizuar idetë e tij politike, por edhe transformimi i tij nga i biri i një pasaniku në një nomad që ikë para forcave speciale amerikane nëpër malet e Afganistanit. Ndërkohë, Bin Laden është eliminuar gjatë një aksioni kontrovers të forcave speciale amerikane, sepse (siç thuhet në disa qarqe) amerikanët nuk ishin të interesuar që ta gjykonin atë. Sido që të jetë, informacionet që i ofron libri “Të Rritesh si Bin Laden” tregojnë se Osama Bin Laden ishte një karakter mjaft kompleks, i cili nuk vendosi brenda natës që të bëhej terrorist dhe vrasës.

Bëhet këtu fjalë për një libër që tashmë është publikuar në Kroaci, nga shtëpia botuese Profil, dhe i cili ditë më parë është prezantuar në Zagreb nga gazetarja, Janja Franko, dhe nga eksperti kroat për siguri, Pavle Kalinic.

Ndryshe, librin “Të Rritesh si Bin Laden” e ka shkruar shkrimtarja amerikane, Jean Sasson, duke u bazuar në dëshmitë e Najwa dhe Omar bin Laden, gjegjësisht të ish-bashkëshortes dhe të birit të sauditit kontrovers. Si pasojë, ai ofron një qasje paksa më intime në biografinë e terroristit më famëkeq në botë.

Dëshmitë a familjarëve janë të radhitura kronologjikisht, që nga koha kur Najwa ishte njohur me Osama’n, e deri te momenti kur Omar kishte kuptuar se babai i tij tashmë ishte në përgatitje e sipër të tragjedisë që ndodhi në Amerikë. Dëshmitë në libër janë vërtet shokuese, ngase ish-bashkëshortja dhe i biri lexuesin dalëngadalë e fusin brenda botës së çmendur të Osama’s, pikërisht ashtu siç edhe po zhvillohej kjo çmenduri në kokën e tij.

Njawa dhe Omar tregojnë se si, nga një burrë dhe baba mesatar i cili interesohej fare pak për çështjet fetare, Osama u shndërrua në një fanatik, që familjen e tij e mban të izoluar dhe të varur vetëm nga informacionet që ua siguronte vetë.

Kështu, gjykuar sipas Najwa dhe Omar Bin laden, del se Osama ishte një despot familjar, i cili bashkëshorten e shihte vetëm si një fabrikë fëmijësh, përderisa djemtë e tij i rrihte dhe i keqtrajtonte sa mundej, por edhe i merrte me vete gjatë shëtitjeve të tij të gjata nëpër shkretëtirë, “për t’i kalitur”.

Natyrisht, sipas dëshmive të Najwa dhe Omar, familjarët e kishin të ndaluar të shoqëroheshin me këdo që nuk ishte mysliman, ndërkohë që familja Laden shpërngulej shpesh, herë në Arabinë Saudite, herë në Sudan, e herë në Afganistan. Kjo për shkakun se Osama po bëhej gjithnjë e më radikal karshi përkushtimit të tij ndaj islamit, por edhe për shkakun se ai dëshironte që të fillonte një “luftë të shenjtë kundër të pafeve”.

“Të Rritesh si Bin Laden” në fakt është një tekst goxha i tensionuar për njeriun që e ndryshoi botën në të cilën jetojmë. Suksesi i librit më së shumti ka të bëjë me vetë autoren e tij, Jean Sasson, e cila arriti që të përfitojë besimin e anëtarëve të familjes Laden, dhe që rrëfimet e tyre t’i shndërrojë në një tregim besnik, tejet interesant dhe shokues. t-Portal

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›