Xhim Belushi: “Do të vij në Shqipëri për bamirësi”
Aktori i njohur hollivudian me origjinë shqiptare, Xhim Belushi do të vijë sëshpejti për herë të dytë në Shqipëri. Lajmin e konfirmon vet Belushi i cili shprehet se “Do të vizitoj sërish vendin tim të origjinës, Shqipërinë dhe kjo jo për alibinë si autor i librit ‘Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal’, por në krye të një përfaqësie të Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë, e cila ka mbledhur fonde për fëmijët e lindur me të meta fizike e mendore.” Më tej, teksa e pyesim aktorin e njohur me origjinë shqiptare mbi planet e tij filmike, nëse ka ndonjë figurë historike të kombit shqiptar të cilën ai do ta interpretonte, na përgjigjet se ende nuk ekziston një projekt i tillë, por nuk përjashtohet si mundësi në të ardhmen. Ai në çdo vend gjen rastin të pohojë me krenari: “Jam shqiptar. Kam ardhur këtu për ta treguar këtë krenari dhe dëshiroj që edhe shqiptarët e tjerë ta shfaqin këtë krenari kudo që shkojnë në botë. Unë jam shqiptar.” Në të njëjtën mënyrë aktori i madh është përgjigjur edhe herë të tjera kur e kanë pyetur mediet amerikane. Takimin me Xhim Belushin e bëmë me rastin e festës që organizonte para pak ditësh Kisha e Shën Gjergjit në Boston, e cila kremtonte 100- vjetorin e themelimit nga Fan Noli. Pikërisht me këtë rast, ishte ftuar edhe Belushi, të cilin Kisha e dekoroi me motivacionin “Për kontributin e lartë, që me emrin e tij si shqiptar ka bërë në prezantimin e vlerave kombëtare, teksa është prezantur, se është shqiptar.” Belushi ka rrëfyer se rrënjët i ka shqiptare, si nga nëna dhe nga babai. James (Jim) Belushi lindi më 15 qershor të 1954-s në Çikago. I ati emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur ishte 16 vjeç, kurse e ëma Anjeza është shqiptare e lindur në Amerikë. Në prezantimin e tij në “Grand Gala” në “World Trade Center” në Boston, aktori i njohur foli me kënaqësi të madhe për vizitën e parë të tij me të atin në vendlindje. “Kur isha në vendlindjen e babait, Shqipëri, nga të gjitha anët shikoja si në pasqyrë figurën time, të gjithë më dukeshin të njëjtë si unë.” Gjatë vitit 1995 aktori i njohur, së bashku me djalin e tij dhe babanë (siç tregoi Xhimi gjatë marrjes së dekoratës, vizitoi për herë të parë Shqipërinë. “Babait tim i kishte hyrë në palcë frika nga regjimi i Enver Hoxhës. U nisëm në vendin e të parëve tanë me ftesë të presidentit z. Sali Berisha, ku na u rezervua një pritje e madhe, deri tek shtrimi i tapetëve të kuq.” Xhimi vijon të kujtojë më tej se “U surprizuam nga pritja që na u bë atëherë dhe presidenti nisi të na tregonte arritjet e Shqipërisë. Në fund të takimit, Berisha e pyeti babain të thoshte diçka, por ai ishte ende i frikësuar nga ato që kishte dëgjuar që ndodhnin në Shqipëri. Baba shtangu. Unë i dhashë kurajë duke i thënë: Folë baba se nuk ka më komunizëm këtu dhe nuk të fut njeri në burg.” Më tej, Xhimi që vazhdon të mos e braktisë humorin e tij, vijon të tregojë edhe disa episode të tjera por kësaj here më të ëmën; “Nëna ime, ‘Nani’ nuk dinte anglisht, por kishte mësuar nja dy fjalë sa për bela. Kur donte t’i mbyllte telefonin ndokujt i thoshte ‘Jim working’”. Një e re e kësaj mbrëmjeje ka qenë edhe interpretimi i shkëlqyer i aktorit të njohur hollivudian, veçse kësaj here jo në aktrim, por në muzikë. Belushi është një talent edhe sa i përket muzikës “Rhythm & blues”, gjë të cilën e tregoi me pasion kur bëri të gjithë sallën të ngrihej në këmbë e elektrizuar para tij. Një performnancë madhështore dhe koncert unikal ky, që do të mbetet i paharrueshëm për komunitetin shqiptar që jeton në Amerikë.
Beqir SINA
2 Tetor 2008