Toçi: “50 mijë tituj dhe 50 mijë vizitorë presim nga Panairi i Librit”
Petrika GROSI
Kryetari i Shoqatës të Botuesve Shqiptarë, Fatmir Toçi ka bërë të ditur se tashmë është vendosur data e zhvillimit të edicionit të 11-të të Panairit të Librit “Tirana 2008”, që do të jetë 14-18 nëntor. Ky panair është padyshim dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme në fushën e letrave, ku botuesit shqiptarë nga brenda e jashtë vendit, prezantojnë romanet, poezitë, katalogjet, përkthimet e studimet më të fundit para publikut dhe njëri-tjetrit, ku promovohen autorë e tituj të librash, jepen çmime, zhvillohen debate, etj. Sivjet, për shkak të punimeve për rikonstruktimin e ambjenteve të Piramidës zgjedhja për vendin ku do të zhvillohet ky aktivitet ka qenë Pallati i Kongreseve, ku në ditët e panairit pritet të marrin pjesë rreth 150 subjekte që kanë të bëjnë me veprimtarinë botuese e diskografike. Mbi qëllimin e projektit vet Toçi shprehet se “Organizimi i këtij panairi është ngjarja më e madhe kulturore në punën me librin që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare, ku përfshihen Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora. Në një kohë që veprimtari të tilla me librin, nën organizimin dhe kujdesin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, organizohen edhe në qendra të tjera të rëndësishme shqiptare, si Prishtina, Tetova, Ulqini, qytetet universitare të Shqipërisë dhe ato turistike gjatë periudhës së verës.” Panairi i Librit “Tirana 2008” sipas organizatorëve gjithashtu, synon që të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shiptare që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitin e fundit. Organizimi i një veprimtarie të tillë do të bashkojë rreth vetes të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përfaqësuesit e shtypit e medias etj., me synimin për krijimin e zhvillimin e kontakteve tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht të rinisë, në kushtet e mungesës së plotë të sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë. Siç ka ndodhur edhe gjatë viteve të tjera, në ditët e panairit, nga organizatorët, ekspozuesit dhe krijuesit, në mjediset e panairit, do të organizohen konferenca shtypi, paraqitje librash, biseda e debate me lexues e dashamirës të librit, takime me shkrimtarë etj. Në anën tjetër, në bashkëpunim me drejtorinë Arsimore të Tiranës dhe rrethit, do të organizohen vizita kolektive nga nxënësit e shkollave të të gjitha niveleve, si pjesa më masive e interesuar për librin. Sipas shifrave të pritshme nga organizatorët në këtë panair do të ketë rreth 300 krijues, 120 veprimtari, 50 mijë tituj nga të cilat 1500 botime të reja dhe minimalisht 50 mijë vizitorë.
Statistika rreth panairit
- 150 shtëpi botuese
- 500 profesionistë ekspozues
- 300 krijues pjesmarrës në panair
- 120 veprimtari në kuadër të panairit
- 50 mijë tituj të ekspozuar
- 50 mijë numri i pritshëm i vizitorëve
2 Tetor 2008