Albtelekom: 50 për qind më pak tarifa e internetit
Kompania Albtelekom ka prezantuar dje ofertat e fundvitit për klientët e saj. Bëhet fjalë për ofertën më të re për shërbimin e internetit, duke dhuruar për abonentët e rinj, modemin, tarifën e instalimit dhe përgjysmimin e çmimit. Drejtori i Përgjithshëm i Albtelekom, Mustafa Resit Akdogan, tha se duke filluar nga dita e hënë, datë 22 dhjetor 2008 dhe deri në fund të muajit, Albtelekom ofron mundësi shumë të mira për të gjithë klientët që dëshirojnë të abonohen në shërbimin e internetit me ADSL. "Me ofertën e re, Albtelekom ofron modemin dhe tarifën e instalimit falas si dhe do të ketë 50 për qind ulje të tarifës mujore. Shpresojmë që kjo ofertë të gëzojë të gjithë, si përdoruesit familjarë dhe bizneset, të cilët do të kenë mundësi të përfitojnë nga mundësitë që ne ofrojmë. Gjithashtu për vitin 2009 kemi menduar dhe shërbime me vlerë të shtuar, ku do të ketë paketa speciale, të cilat shpresojmë se do të gëzojnë përdoruesit familjarë dhe bizneset", u shpreh Akdogan. Sipas tij, gjatë këtyre muajve është punuar në përmirësimin e infrastrukturës së telefonisë fikse në qytetet kryesore të vendit dhe në sajë të realizimit të investimeve do të ketë një infrastrukturë të re në qytetet kryesore të vendit, Durrës dhe Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Sipas Akdogan, duke nisur nga dita e hënë, në kryeqytet në zonat "Garden City" afër Laprakës, në zonën e Universitetit "Epoka", Spitali Ushtarak dhe ish-Fusha e Aviacionit, të interesuarit mund të bëjnë kërkesën për numër të ri telefoni.