E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Fullani: Bankat të ruajnë nivelin e kreditimit

 

Fabiola Çela

Viti 2009 pritet të jetë një vit plot me të papritura për ekonominë vendase. Vetëm pak ditë përpara mbylljes së vitit 2008, kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka deklaruar se kemi përpara një vit me plot të panjohura për sa i përket zhvillimit të ekonomisë vendase. Shkak për këtë është kriza financiare ndërkombëtare. Në një situatë të tillë, Guvernatori Fullani u ka kërkuar drejtuesve të bankave të nivelit të dytë që të mos shpërndajnë fitimet e tyre, por të rrisin kapitalin Sipas tij bankat duhet të ruajnë nivelin e kreditimit edhe në 2009-ën.
Kriza
Gjatë një pritje të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e mbylljes së vitit 2008, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fullani, u shpreh se të dhënat më të fundit tregojnë se sistemi bankar shfaqet fitimprurës. Por pavarësisht kësaj situate pozitive në 2008-ën, Guvernatori ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të bankave për vitin që po vjen, vit i cili, sipas tij, do të jetë i vështirë. "Njësoj si shumica e ekonomive të ndryshme të botës, edhe vendi ynë gjendet përpara një viti me shumë të panjohura. Nuk do të doja të anashkaloja faktorët e brendshëm, por gjithsesi, ajo që sot konsiderohet çështja më e nxehtë ka të bëjë me ambientin e përgjithshëm global", ka thënë ai. Prej kohësh parashikimet e agjencive të ndryshme, të institucioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare parashikojnë një vit me kontraktim të prodhimit të përgjithshëm botëror. Në një situatë të tillë, sipas kreut të Bankës së Shqipërisë "do të ishte utopike dhe deri diku shprehje e mungesës së kujdesit, nëse do të mendonim se ekonomia jonë do të preket shumë pak apo aspak nga kriza globale. Vendi ynë, megjithëse me një ekonomi të vogël është i hapur, me lidhje të shumta shkëmbimesh të mallrave dhe fondeve financiare".
Masat
Gjatë takimit me bankierët, Guvernatori Fullani ka renditur masat që duhet të ndërmarrin drejtuesit e bankave. "Banka e Shqipërisë do të kërkojë që dividentët e materializuar në vitin 2008, të destinohen për të rritur kapitalin e bankave që ju drejtoni. E kam përmendur vazhdimisht se sistemi ynë është i mirëkapitalizuar, por megjithatë në kushtet aktuale, e gjykoj si masë kujdesi rritjen e mëtejshme të tij", ka deklaruar kreu i Bankës së Shqipërisë. Përveç kësaj, Guvernatori u ka kërkuar bankierëve që të vazhdojnë të japin kredi me të njëjtat ritme si më parë. "Një tkurrje e kredisë për ekonominë, mbart rrezikun e veprimit të anasjelltë, të eklipsimit të kontributit të kredisë për ekonominë nga shpenzimet e sektorit publik. Në këtë kuptim, duke kuptuar drejt të gjithë vështirësitë e krijuara, do të insistoja edhe një herë në kërkesën time drejtuar juve, që të vazhdoni të ruani ritmet e kreditimit të ekonomisë", ka vënë në dukje ai. Ndërsa në lidhje me portofolin e investimeve, bankat që operojnë në tregun vendas duhet të jenë më të pavarura nga selitë qendrore, ose e thënë ndryshe nga degët mëma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›