E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli firmos 1 miliard euro për HEC-et në Devoll

 

Kreu i Ministrisë së Energjetikës, Genc Ruli, ka firmosur dje një marrëveshje me kompanitë EVN AG dhe Statkraft AS për ndërtimin me koncesion të tre HEC-ve në lumin Devoll. "Me këtë investim prej rreth 1 miliard euro, ky projekt do të mundësojë ndërtimin e tre hidrocentraleve, hidrocentralin Lozhanë-Grabovë me fuqi 173 MW, hidrocentralin Skënderbegas Drizë me fuqi 188 MW dhe hidrocentralin e Banjës me fuqi 28 MW", u shpreh dje ministri Ruli. Sipas ministrit, Ruli nuk është rastësi që një kompani si EVN, e cila zotëron kapacitete gjeneruese të energjisë elektrike në afro 2 mijë MW dhe ofron shërbime për mbi 2.5 milionë klientë,  garon në tenderin e shpallur nga METE për shfrytëzimin hidroenergjetik të kaskadës së Devollit. Madje, sipas tij, nuk është rastësi fakti që një kompani si "Statcraft", që numëron të paktën 70 hidrocentrale në Norvegji, Suedi e Finlandë dhe është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vendin e tij, angazhohet para Autoritetit Kontraktues se do të jetë përgjegjës së bashku me kompaninë EVN në realizimin e këtij projekti madhor. Deri në fund të vitit 2008, METE do të numërojë plot 50 kontrata koncesionare të firmosura nga Këshilli i Ministrave dhe Autoriteti Kontraktues, me një investim total prej mbi 200 milionë euro, me një fuqi të instaluar prej 216 MW dhe një energji prej 700 Gwh/vit. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Ruli deklaroi se në fillim të vitit 2009 ministria që ai drejton do të inaugurojë fillimin e prodhimit të energjisë elektrike në të paktën 3 hidrocentrale të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›