Buxheti i 2009, Rama braktis mbledhjen e Këshillit Bashkiak
Marjola Shimi
Kryetari i Bashkisë së Tiranës braktis mble-dhjen e Këshillit Bashkiak. Rama nuk qëndroi në sallë më shumë se 15 minuta, gjatë të cilave prezantoi pikat e forta të projektbuxhetit për 2009. Gjatë mbledhjes ai duhet t'u përgjigjej edhe një sërë pyetjesh nga anëtarët e këshillit. Disa prej tyre të pakënaqur nga përgjigjet , devijimi apo mungesa e tij, nuk kanë kursyer akuzat në adresë të kryebashkiakut. Ky i fundit për aq kohë sa ishte prezent nuk nguroi të shkëmbente batutat. "Në asnjë nga zonat e Tiranës nuk ka pasur ndonjë njoftim, ku qytetarët ftohen të marrin pjesë dhe të japin mendime për buxhetin e bashkisë. Gjithashtu, nuk e shikoj të arsyeshme se me çfarë të drejte piketohet një kompani si posta shqiptare të mbledhë taksat", tha anëtari i PD, Gjergj Bojaxhi. E menjëhershme ishte përgjigjja e Ramës: "Për mungesë dritash zoti Bojaxhi nuk ka arritur t'i shohë njoftimet, që ne kemi bërë në televizion. Këtu janë të gjitha kërkesat e drejtpërdrejta të komuniteteve. Për çdo njësi kemi kërkesa specifike. Qytetarët i kanë votuar ato. Sa i përket çështjes së postës, ne na jep mundësi ligji që ta përcaktojmë në rolin e agjentit tatimor", tha Rama. Anëtari Dhori Kule, i kërkoi kryebashkiakut të përgjigjej lidhur me objektet, që do të financohen nga bashkia me anë të buxhetit të përfituar nga komuniteti. Por pas përgjigjes që mori, reagimi i Kules ishte jo pak i ashpër. "Rama ka një nivel shumë të ulët për të kuptuar pyetjet, shumë mirë ai mund të devijonte pyetjes dhe jo të përgjigjej kaq trashë, por ja që nuk e bëkërka dot", tha Kule. Ndërsa debati u nxeh më tepër nga këshilltarët e tjerë, Rama u çua dhe u largua nga mbledhja. Menjëherë pas tij lanë sallën edhe këshilltarët e Partisë Socialiste. Këshilltarët që mbetën në sallë vijuan diskutimet për projektbuxhetin, duke dhënë argumentet për votat e tyre kundër. "Ky është buxheti i tretë dhe është hera e tretë, që ne bëjmë pyetje dhe bëjmë sikur marrim përgjigje. Tashmë kjo është kthyer në shfaqje politike. Rama kështu ka ardhur e ka ikur gjithmonë. Është detyra ime që të jem syri, veshi, fytyra e qytetarëve që më kanë votuar. Në buxhetin e 2009 nuk sqarohet se çfarë investimesh janë realizuar në 2008. Në disa njësi bashkiake janë planifikuar investime, që kanë përfunduar dhe kjo është skandaloze. Mund t'iu tregoj fotot e njësisë nr 6, ku Rama ka identik të njëjtat projekte si këtë vit. Në buxhet thuhet se të ardhurat rriten me 20%, që do të thotë se qytetarët e Tiranës do të paguajnë më shumë taksa. Nuk jam dakord me rritjen e taksave se duhen rritur rrogat e punonjësve të bashkësisë. Për këto arsye votoj kundër këtij buxheti që vjedh xhepat e qytetarëve", tha Kryemadhi. Ikjen e tij nga mbledhja e cilësuan të turpshme edhe anëtarët e djathtë të këshillit", Rama u tall me këshillin. Ai duhet të kthehet menjëherë këtu dhe t'u japë përgjigje këshilltarëve. As mos të pretendojë që ne do votojmë buxhetin e tij. Ai në mënyrë rrugaçërore ndenji dhe në mënyrë rrugaçërore iku", u shpreh Gent Strazimiri. Me të njëjtin ton foli edhe kryetari i grupit të anëtarëve të PD-së në këshill, Ferdinand Poni. "Ne shyqyr që e pamë kryebashkiakun Rama se në dy vjet nuk na e kanë zënë sytë asnjëherë, por atij t'i vijë turp, që vjen në mbledhje ku e ka për detyrë të vijë dhe rri 15 minuta.
Të pastrehët, vlerësim me
pikë për bonusin dhe kreditë
zirina llambro
Sistem pikëzimi për të pastrehët që do të përfitojnë bonusin dhe kreditë nga shteti. Për këtë të fundit do të përzgjidhen 250 familje brenda 2009. Bashkia e Tiranës ka përcaktuar familjet prioritare, të cilat do të marrin ndihmën e mësipërme.
Numri i familjeve të pastreha, të regjistruara pranë këtij institucioni ka arritur në 4400 të tilla, dy herë më i lartë se vitin e kaluar. "Për vitin 2009 kemi vendosur të ndërhyjmë për përmirësimin e situatës me dy programet e strehimit social. Programi i banesave me qira, nga i cili përfitojnë ato familje që ndodhen në emergjencë dhe nuk mund të paguajnë shifrën e plotë të qirasë së një banese", thuhet në relacionin e bashkisë. Sipas këtij institucioni, për këtë grup ku bëjnë pjesë çiftet e reja që nuk kanë në pronësi një banesë, familjet me shumë fëmijë, ato me një prind invalid, të moshuarit, do të ofrohet ndihmë në formën e bonusit të strehimit ose bonusit të qirasë. "Ndërsa programi i banesave me kosto të ulët parashikon ndërtimin apo blerjen nga shteti të këtyre banesave, dhënien e kredive me kushte lehtësuese për familjet që mund të përballojnë nga ana financiare pagesën e kredisë. Gjithashtu edhe subvencionin e interesave të kredisë, për ato familje ku kësti mujor i kalon 35% të të ardhurave mujore.
Pikëzimi
Mbi bazën e programeve që do të zbatohen janë vendosur edhe pikët për familjet që do jenë prioritare për të përfituar. "Janë vlerësuar me pikëzim më të lartë familjet e pastreha në shtëpitë me ish-pronar, firmat piramidale ato të cilat kanë mbetur pa shtëpi për shkak të shembjes, banesat informale që nuk mund të përfitojnë ndihmë nga shteti", sqarohet në relacionin që i bashkëngjitet vendimit. Në të saktësohet se eventualisht familjet me status janë pikëzuar më pak, pasi mund të jenë përfshirë në programe të tjera, të cilat kanë qenë më të përshtatshme për ta. "Qëllimi i programit është që të stimulojë përfitues që kryesisht nuk kanë përfituar nga programet e tjera. Kjo duke lehtësuar kredimarrjen për ato familje që nuk kanë nivel shumë të lartë të ardhurash dhe që nuk mund të përballojnë blerjen e një banese për momentin. Ndaj u është dhënë prioritet familjeve që nuk kanë qenë prioritare më parë por që gjykohet se kanë potencialin për të qenë në gjendje të klasifikohen nga banka si kredi marrëse", saktëson bashkia. Sipas këtij institucioni, sistemi i pikëzimit do të bëhet i zbatueshëm për të përzgjedhur familjet përfituese të vitit që vjen, ku janë përcaktuar 250 kuota për subvencion të kredive nga banka. "Këto 250 familje që do të përzgjidhen do të mund të marrin kredi në sajë të marrëveshjeve që bashkia ka nënshkruar me bankën përkatëse", sqarojnë specialistët. Por nga sa sqarohet, veç miratimit të vendimit në fjalë, të Këshillit Bashkiak, familjet duhet të plotësojnë edhe një sërë kriteresh të tjera të përcaktuara nga bashkia. Me anë të këtyre kritereve do të verifikohet nëse familjet në fjalë janë të afta për të paguar kredinë që do t'u jepet nga bankat
piket per te pastrehet
Sistemi i pikëzimit për bonusin e strehimit:
a. Individët të cilët gëzojnë statusin e: 15 pikë
- të verbrit të grupit të parë
- invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik
- invalidit të punës
- invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare
- jetimit
- veteranit të luftës
b.1 Familje që mbeten pa banesë, si pasojë e prishjes së tyre për interes publik. 15 pikë
b.2 Familje që mbeten pa banesë, si pasojë e lirimit të mjediseve me funksion publik. 15 pikë
b.3 Familje që mbeten pa banesë si pasojë e forcave madhore. 15 pikë
b.4 Të tjera 5 pikë
c. Familjet një prindërore që kanë në ngarkim fëmijë 10 pikë
d. Familjet me shumë fëmijë
(mbi 3 fëmijë) 10 pikë
e. Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t'u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror 10 pikë
f. Çiftet e reja me moshë totale deri
në 55 vjeç 5 pikë
g. Familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi 5 pikë
Sistemi i pikëzimit për subvencionimin e familjeve që përfitojnë kredi nga shteti:
a. Familjet që banojnë në shtëpi
me ish-pronarë 20 pikë
b. Familjet që kanë humbur shtëpitë në firmat piramidale 15 pikë
c. Familje që mbeten të pastrehë (shembje banese informale, lirim objektesh me funksione publike) për shkak të zbatimit të projekteve publike e ndërtimit të veprave me interes publik 15 pikë
d. Çiftet e reja me moshë mesatare totale deri në 55 vjeç 15 pikë
e. Individë me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç 10 pikë
f. Familjet me shumë fëmijë (me më shumë
se 2 fëmijë) 10 pikë
g. Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim
fëmijë 10 pikë
gj. Individët të cilët gëzojnë statusin e: 5 pikë
- të verbrit e grupit të parë
- të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik
- të invalidit të punës, të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare dhe statusin e veteranëve të Luftës
Buxheti i Bashkisë për 2009
Prioritetet
Mjedisi dhe rikualifikimet urbane
Infrastruktura rrugore
Transporti publik
Arsimi para-universitar dhe edukimi
Strehimi social
Shpenzimet
Shpenzimet kapitale i shtojnë Tiranës 12 miliardë lekë
5.5 miliardë investime në infrastrukturën rrugore
3.2 miliardë për mjedisin dhe rikualifikimin urban
1.7 miliardë investime në arsim
816 milionë lekë për ndërtimin e 389 banesave sociale
154 milionë lekë për ndërtimin e 3 qendrave dhe ofrimin e shërbimet sociale
Shpenzimet për pastrimin 70.5% më shumë se në 2008
Infrastruktura rrugore 21..4% më shumë se në 2008
Programi i transportit 2.7 herë më shumë se 2008
Programi i arsimit 50% më shumë se 2008