Italia firmos protokollin e NATO-s
Parlamenti i Italisë ka ratifikuar protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke u bërë vendi i 17-të nga 26 vende aleate që kanë firmosur këtë dokument. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e Kuvendit. "Pas Bundesratit gjerman, deputetët e Parlamentit italian i kanë dhënë votën pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ashtu siç kishte konfirmuar Kryetari i Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini, gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, në shtator të këtij viti në Tiranë. Pas këtij ratifikimi pritet që të hënën edhe Senati italian të ratifikojë këtë protokoll, duke mbyllur kështu procesin e ratifikimit nga Italia", thuhet në njoftimin për shtyp. "Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli me anë të një letre i ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij personal, Kryetarit të Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini”.