E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albtelekom”: Nga 15 shtatori, thirrjet nga numëratori 7-shifror

Të gjithë numrat fiks mund të telefonohen vetëm nëse u shtohet shifra 2 në fillim.

“Albtelekom” sh.a., kompania lider e telefonisë fikse në Shqipëri, pas privatizimit vitin e kaluar nga konsorciumi turk “Çalik-Turk Telekom”, tashmë ka hyrë në një fazë intensive investimesh për zgjerimin e kapaciteteve të saj në ofrimin e shërbimeve të telekomunikacionit. “Albtelekom” ka përcaktuar si prioritet kryesor të saj rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e produkteve e të shërbimeve. Në këtë drejtim, kompania është duke investuar në zgjerimin e kapaciteteve të saj në rrjetin e telefonisë fikse për plotësimin e nevojave të saj si dhe ka parashikuar investime të tjera që do të mundësojnë shërbime bashkëkohore. Pjesë e kësaj strategjie zhvillimi është edhe kalimi i numeracionit lokal të Tiranës nga ai gjashtëshifror në shtatëshifror, plan ky i cili pasi është miratuar dhe nga autoritetet respektive të shtetit shqiptar, është bërë i njohur për publikun shqiptar nëpërmjet një fushatë publicitare gjatë muajve prill dhe maj në mediat vizive dhe ato të shkruara në vend. Kompania “Albtelekom” njofton të gjithë abonentët e saj, se duke nisur nga mesi i muajit shtator, përkatësisht data 15 shtator, të gjitha thirrjet e abonentëve të kryeqytetit dhe të të gjithë abonentëve të tjerë në Shqipëri, do të realizohen vetëm nëpërmjet numeracionit të ri, pra atij shtatëshifror, duke i shtuar numrit lokal shifrën 2 përpara. Pas kësaj date, numrat gjashtëshifrorë nuk do të jenë të arritshëm dhe nuk do të realizohet asnjë thirrje drejt tyre pa shtuar shifrën 2 në fillim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›