“Lehman Brothers” , SHBA e Evropa në kurthin e presioneve inflacioniste
“Lehman Brothers”, një ndër katër bankat më të madha investuese në Amerikë, falimentoi dy ditë më parë. Lajmi tronditi botën, veçanërisht të gjithë ata që merren me tregjet financiare. Tronditja u ndie jo vetëm në Amerikë, por menjëherë u përcoll edhe në tregjet e Evropës, e reflektuar kjo në kuotimet në bursa. Ekspertët shqiptarë të bankingut flasin për pasojat që do të japë falimentimi i njërës prej bankave më të mëdha Amerikë dhe në botë, por ende nuk mund të shprehen qartë për efektet që kjo krizë do të përcjellë në tregun financiar shqiptar. Elvin Meka, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, i pyetur nga “standard” për efektet që do ta japë falimentimi i “Lehman Brothers”, flet për pasojat që vijnë prej saj. Ai nënvizon se kjo situatë reflekton pasiguri në tregjet financiare jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë. Forcimi i një krize ekonomike globale duket se është e pranishme. Nëse kjo krizë do të bëhet pjesë e zhvillimeve ekonomisë shqiptare, kjo është ende shpejt për t’u parashikuar, por përderisa ekonomia evropiane po ndien efektet e krizën në Amerikë, pritet për t’u parë si do shkojnë zhvillimet edhe në vendin tonë. Meka thekson për gazetën se falimentimi i bankës amerikane solli miliarda dollarë humbje. “Njoftimi i depozitimit për mbrojtje nga falimentimi prej një nga bankave më të mëdha investuese në botë, “Lehman Brothers”, si dhe njoftimi i njëkohshëm i shitjes 100% të “Merril Lynch”, dhe kjo një nga bankat më të mëdha investuese në botë, tek Bank of America (për një vlerë 50 miliardë US$) shkaktoi një tërmet global financiar “të hënën e zezë” të 15 shtatorit 2008. Praktikisht, të gjitha bursat e mëdha shënuan rënie të ndjeshme, që përkthehen në miliarda dollarë humbje të vlerës së investuar në tituj financiarë”, - thotë Elvin Meka, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave. Sipas Mekës, më shumë se një falimentim apo vështirësi financiare për këto banka, kjo tronditje financiare erdhi si reagim i pasigurisë, që tashmë dominon tregjet financiare ndërkombëtare mbi shëndetin e institucioneve financiare jo vetëm në SHBA, por dhe në vende të tjera, veçanërisht në Evropë. “Praktikisht, ajo që nxit pasigurinë tashmë, është se asnjë analist apo institucion nuk mund të jetë në gjendje të përcaktojë se kur do të shihet dritë në fund të tunelit apo të parashikojë se kur do të prekë fundin vështirësia dhe ngërçi në të cilin ndodhen institucionet financiare amerikane. Ajo që e bën dhe më komplekse situatën, është gërshetimi i problemeve të mësipërme me mungesën e rritjes ekonomike, si në SHBA, dhe në Evropë. Ekonomitë më të mëdha të planetit janë zënë në kurthin e presioneve rritëse inflacioniste, papunësisë në rritje, mungesës së likuiditetit në tregjet e parasë dhe kostos së lartë të prodhimit dhe të kreditimit”, - nënvizon Meka.
Sipas tij. falimentimi i “Lehman Brothers” dhe përthithja e “Merril Lynch”, si dhe kohë më parë ajo e “Bear Sterns” (bankë investimesh) nga bankat tregtare, sigurisht që shënon fundin e pandalshëm të modelit të bankave të pavarura të investimeve dhe përforcimin e modelit të bankingut universal, si modeli që siguron qëndrueshmëri më të madhe dhe menaxhim e kontroll risku më efektiv në periudhën afatgjatë.
Meka nënvizon ndër të tjera se, gjithashtu, ajo tregoi për rëndësinë që ka mbajtja e një balance të kujdesshme, lidhur me përdorimin e levës financiare nga operatorët e tregut dhe përdorimin e tepruar të borxhit (si parim). Meka thekson se nga ana tjetër, bëhet e qartë çdo ditë dhe më tepër roli i autoriteteve rregullatore në drejtim të mbikëqyrjes së tregut financiar dhe monitorimit të cilësisë së portofolit të investimeve të operatorëve të tregut. “Pa dyshim që ngjarjet e fundit do të riformatojnë profilin e enteve rregullatore të sistemit financiar në të gjithë botën, duke u dhënë këtyre të fundit më shumë autoritet dhe të drejta mbi mbikëqyrjen dhe monitorimin jo vetëm të tregjeve financiare dhe operatorëve në to, por dhe shoqërive të klasifikimit të rrezikut (credit rating) dhe atyre të kontrollit (audituese)”, - thotë Meka.