Albtelekom, përgjigje negative për video-konferencën me Avdyl Loshajn
Albtelekom i përgjigjet negativisht kërkesës zyrtare të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të mundësuar linjë të rregullt interneti për zhvillimin e video-konferencës me Belgjikën, ku pritej të merrej në pyetje Avdyl Loshaj nga gjykata, prokurori dhe avokatët. Për këtë arsye, - u shpreh gjykata, - pyetja e dëshmitarit dhe në të njëjtën kohë i dëmtuar, Avdyl Loshaj, do të realizohet përmes letër-porosisë. Por, avokatët nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me gjykatën për pyetjen e Loshajt, pasi kërkuan të shkohet deri në Holandë për ta pyetur ballë për ballë atë. Kjo kërkesë u refuzua nga togat e zeza, pasi për arsye monetare një gjë e tillë nuk mund të realizohej. Ndaj dhe në ditët në vazhdim pyetjet e palëve në proces, por edhe të gjykatës, do t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë, e cila do t’i dërgojë në Holandë për të mundësuar marrjen e dëshmisë së Loshajt, i mbijetuar nga rrëmbimi i strukturave të SHIK-ut, si agjent, përmes letër-porosisë. Loshaj është kërkuar nga drejtësia shqiptare që të vinte për të dëshmuar në Shqipëri, por ai e ka refuzuar një gjë të tillë me pretendimin se jeta e tij është e pasigurt në këtë vend, ndaj dhe ka preferuar që dëshmitë t’i japë nga Holanda. Më tej, procesi gjyqësor në ngarkim të të pandehurve të akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ka vijuar me dëshminë e Ruzho Kërcninit, e cila ka rrëfyer me detaje momentet e rrëmbimit të biznesmenit Hoxha nga dy burra, si shkoi dhe bëri më pas denoncimin në komisariatin nr. 3 dhe të tjera detaje që mbante mend nga ngjarja e shumë viteve më parë. Kërcnini, punonjëse e punishtes së duraluminit “Albatros”, në pronësi të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ka rrëfyer se ka qenë duke hyrë në magazinën e punishtes kur ka parë se një makinë është afruar aty. Fillimisht ka menduar se ishte ndonjë nga klientët që vinte për të dhënë porosinë e radhës. Por, më pas ka parë se dy persona që zbritën prej saj kanë kapur prej krahësh pronarin e saj dhe e kanë futur në makinë, e cila më pas është larguar me shpejtësi. Ajo ka thirrur më pas një prej kolegëve të punës dhe është përpjekur të fiksojë targën e automjetit, por nuk ka arritur. Të dyja i janë drejtuar komisariatit numër 3 në kryeqytet, ku dhe kanë rrëfyer atë që kanë parë. Në përfundim të dëshmisë së gruas, prokurori kërkoi të heqë dorë nga thirrja e tri dëshmitarëve që nuk gjenden në vendndodhje, ndërsa ka kërkuar të rithirren për të dëshmuar disa të tjerë.