Vendimi; Gjykata liron Petrit Çakrrin, qëndronte padrejtësisht në burg
Urdhërohet nga gjykata lirimi i Petrit Çakrrit, pasi përfundoi kohën e burgut. Dje, në një seancë të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, gjyqtari Artan Broci urdhëroi lirimin nga burgu të Petrit Çakrrit. Sipas vendimit të gjykatës, Çakrri kishte mbaruar dënimin prej 10 vjet e 6 muajsh burg dhe prej 4 muajsh qëndronte padrejtësisht në qeli. I arratisur nga burgu i Shën Kollit më 22 janar të këtij viti dhe i riarrestuar më 1 maj, Petrit Çakrri bëri apel përmes televizionit me telefonatë nga burgu 302 i Tiranës për lirim. Çakrri ka telefonuar dhe ka kërkuar lirimin e tij ose përndryshe do të vetëflijohet. “Unë e kam mbaruar dënimin, po më mbani kot në burg. Dua të lirohem, burgimi im është i padrejtë, ose përndryshe do të vetëflijohem” ka reaguar në atë kohë Çakrri. Pas arratisë në fillim të këtij viti nga burgu i Shën Kollit, Çakrri rrëfeu se qëndroi në arrati jashtë shtetit për 3 muaj. Sipas tij, kthimi në atdhe ndodhi për të vetmen arsye, dëshira e tij për të rregulluar marrëdhëniet që i kishin mbetur pezull me drejtësinë shqiptare. “U riktheva në shtëpi dy ditë përpara se të më arrestonte policia shqiptare. Dhe këtë veprim e bëra, pasi takova një mik që më garantoi se do të mundësonte negocimin me drejtësinë, për të mbyllur dënimin tim”, - u shpreh Çakrri. Dhe, pas paraqitjes së kërkesës së tij për lirim në gjykatë, nga ana e gjyqtarit Broci u urdhëruan burgjet për lirimin e këtij të dënuari, pasi prej katër muajsh i ka përfunduar dënimi.