E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëronte SIDA-n e kancerin për 100 milionë lekë

14/10/2009  “Mrekullitë” e Artan Kristos. Në laborator 600 cd me mbishkrime arabisht

TIRANË- Një ditë pas prangosjes së Artan Kristos, akuzuar për “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllim terroriste”, hetimet kanë nxjerrë fakte rrëqethëse rreth këtij personazhi misterioz. Burime të besueshme të Prokurorisë thanë për gazetën “Metropol” se Kristo i kishte transformuar ambientet e marra me qira në Shkozet të Durrësit në një laborator të vërtetë mjekësor. Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se Artan Kristo pretendonte se shëronte sëmundje të rënda si SIDA, kanceri dhe leucemia. Në këmbim të këtij “shërimi hyjnor” ai kërkonte shifra marramendëse që nisnin nga çmimi fillestar prej 50 milionë lekë të vjetra e përfundonte tek 100 milionë. Kristo vetëquhej si shërues me lidhje të drejtpërdrejtë më Allahun, ndaj duke shfrytëzuar dobësinë njerëzore në momente kaq delikate, ai ua kërkonte këto shuma pacientëve të ndryshëm. Ekspertët po mbledhin disa dëshmi që e vërtetojnë këtë fakt. Sakaq, dje Artan Kristo ka dhënë dëshminë e tij në ambientet e policisë, ku në praninë e avokatit, mohoi kategorikisht akuzën për terrorizëm. “Nëse kam mbrojtur fenë time, kam bërë mirë dhe nuk tërhiqem në asnjë fjalë”,-mësohet të ketë deklaruar Kristo.

Hetimet

Një urdhër-arresti nga gjykata e Tiranës ishte shkaku që efektivët e policisë së kryeqytetit në bashkëpunim edhe me policinë e Durrësit të kryenin ndalimin e menjëhershëm të tij. Burime konfidenciale thanë për gazetën “Metropol” se gjykata mund të ketë perceptuar ndonjë telefonatë ku është përdorur togfjalëshi “t’i zhdukim”, teksa ky fakt ende nuk është konfirmuar. Ekspertët dyshojnë gjithashtu se Kristo ka përmendur disa emra politikanësh të huaj që vijnë në Shqipëri herë pas here ose janë me qëndrim në vendin tonë. Specialistët sekuestruan gjatë arrestimit 600 disqe me mbishkrime arabisht, 4 serverë dhe 5 kompjuterë lap top. Sakaq, ditën e djeshme këto prova u dërguan për ekspertizë në Laboratorin e Ministrisë së Brendshme ku tek 4 serverët dyshohet se janë ruajtur mijëra materiale, shkrime shkencëtarësh e teologësh arabë. Informacionet kalonin në rrjetin Siri-Iran, por përfshihen edhe disa shtete të tjera. Artan Kristo u arrestua rreth orës 16:30 të dy ditëve më parë. Policia shkoi në xhaminë-shtëpi, ku 4 myslimanë faleshin në dhomën 5 me 5 që kishin marrë me qira prapa Gjykatës së Apelit në qytetin bregdetar. Pasi pritën 10 minuta derisa myslimanët të faleshin u krye edhe arrestimi i Kristos.

Historia e një ortodoksi që trazoi Durrësin

Pas arrestimit të Kristos, kyçet dera e myslimanëve

DURRËS- Arrestimi i shtetasit Artan Kristo ka pasuar me reagime të forta në komunitetin fetar në Durrës. Krerë të myslimanëve dhe besimtarë të shumtë kanë thënë se arrestimi mund të mos ketë asnjë lloj lidhje me përkatësinë dhe besimin fetar të të prangosurit Kristo. Dje gjatë gjithë ditës në komunitetin islam në Durrës nuk ka pasur asnjë përfaqësues për të deklaruar pozicionin pro apo kundër prangosjes së Kristos. Ky shtetas që më pas ka pranuar t’i nënshtrohet parimeve të Islamit dhe të gjitha riteve myslimane ka shërbyer për vite të tëra në këtë komunitet pa dalë në pah. Edhe pse janë një sërë çështjesh të pa zbardhuara që nga vrasja e sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit fetar Sali Tivari, ortodoksi Kristo i “pagëzuar” në mysliman nuk ka dijeni për këtë ngjarje të rëndë. Artan Krito është me baba mysliman nga Shkodra dhe e ëma ortodokse, por ai ka zgjedhur në mënyrë të vullnetshme të bëhet mysliman. Janë disa të rinj të arsimuar në vendet arabe për teologji që njihen ndryshe si radikalë islamikë dhe që për shumë arsye janë bërë objekt i vrojtimeve të strukturave investiguese të shërbimit informative shqiptar dhe atij të huaj. Të arsimuar jashtë vendi kanë qenë dhe mbeten në mendime e kahe të kundërta me të rinjtë “perëndimorë”. Një prej kësaj kategorie është edhe ortodoksi Artan Kisto. Ai dhe mbështetës të tij janë kundër drejtuesve aktualë të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe bëjnë thirrje për Xhihad. Një kategori e tillë është kundër shitjes së trojeve të Komunitetit Mysliman. Pas viteve 1992 e në vijim një pjesë e fraksioneve kundër ideatorëve të lëvizjes islamike mendojnë se ka shumë abuzime me pronësinë e komunitetit islam. Në këtë drejtim ka hamendësi lidhur me abuzimet e panumërta të bëra nga krerët e komunitetit islam. Pikërisht këta të rinj një pjesë e të cilëve janë edukuar dhe arsimuar në vende me kulturë islame kanë radikalizuar lëvizjet e tyre. Kësisoj Artan Kristo është përfshirë në lëvizjen e madhe të ndryshimit të imazhit dhe kthimit të pronave të komunitetit islam. Kjo kategori e arsimuar në Siri është kundër mënyrës së organizimit të Haxhit, i cili mendohet se mbledh mijëra dollarë çdo vit kur besimtarët dërgohen për pelegrinazh në Mekë. Artan Kristo u akuzua dhe dyshohej në fillim si autori që ka vrarë Salih Tivarin më 13 janar 2003, por ai ka një alibi të fortë se katër ditë para ngjarjes ka udhëtuar drejt Turqisë. Në qershor të vitit 2006 u arrestua për këtë akuzë, por u la i lirë. Krerë të besimit islam kanë qëndruar larg pohimeve lidhur me këtë ngjarje. Kjo kategori e të rinjve në Durrës kanë qenë kundër pazareve në kurriz të besimtarëve. Radikalët islamë kanë shprehur pikëpamje të ndryshme nga pala e besimtarëve të tjerë lidhur edhe me edukimin fetar. Dy ditë para se Sekretari i Komunitetit Islam në Shqipëri Sali Tivari të vritej në zyrën e tij, shtetasi Artan Kristo ka fluturuar për në Jordani. Studenti i Teologjisë në Siri është kthyer në vendin e tij në vitin 2002, ndërkohë që Tivari është vrarë më 13 janar 2003 në Tiranë. Pasi Kristo kishte pranuar të bëhej besimtar mysliman Kristo ishte “pagëzuar” me pseudonimin Muhamed Abdulla. Për shtetin dhe shërbimet investigative shqiptare një veprim i tillë nuk paraqiste asnjë dyshim. Ndërrimi i emrit dhe i të dhënave personale të Artan Kristo kanë shfaqur jo pak reagime. Çështja e pronave ka qenë për të gjithë këtë kategori të arsimuarish në vende me kulturë të hershme islame, si problematikë parësore. Komuniteti islam në Durrës është përfshirë disa herë në konflikte, të cilat kanë të bëjnë me pronat e komunitetit apo edhe me abuzimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›